Qeveria e Kosovës: Hap pas hapi, po i afrohemi BE-së

(Lajm i pëditësuar)

Qeveria e Kosovës ka uruar Ditën e Evropës ku sipas tyre, kjo ditë kujton deklaratën e ministrit të jashtëm francez, Robert Schuman i cili foli për here të parë për idenë e Evropës

Në këtë njoftim thuhet se Qeveria e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian si votimi i parë pozitiv në fazat drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian. Qytetarët e vendit tonë, të cilët përqafojnë dhe i mishërojnë vlerat evropiane, mund të ndihen tashmë më afër Evropës. Kosova gjendet në një trajektore të vendosur në rrugën drejt BE-së, në një proces të pakthyeshëm”, thuhet tutje në njoftimin e Qeverisë.

Njoftimi i plotë:

Sot shënohet një ditë e rëndësishme në kontinentin tonë, 9 maji, Dita e Evropës. Kjo ditë kujton deklaratën e ministrit të jashtëm francez, Robert Schuman i cili foli për here të parë për idenë e Evropës. Evropën e cila nuk do ishte më një kontinent i shkatërruar nga luftërat dhe rivalitetet, por një projekt politik i paqes, prosperitetit dhe lirisë.

Ai thoshte se: “Paqja botërore nuk mund të ruhet pa ndërmarrjen e përpjekjeve kreative në proporcion të drejtë me rreziqet që e kërcënojnë atë.” E në sfidat me të cilat po përballet tashmë Evropa, uniteti dhe paqja janë domosdoshmëri për një të ardhme të lire, demokratike e prosperuese.

Në Ditën e Evropës, ne si Qeveri riafirmojmë projektimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Vetëm gjatë vitit të fundit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian si votimi i parë pozitiv në fazat drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian. Qytetarët e vendit tonë, të cilët përqafojnë dhe i mishërojnë vlerat evropiane, mund të ndihen tashmë më afër Evropës. Kosova gjendet në një trajektore të vendosur në rrugën drejt BE-së, në një proces të pakthyeshëm.

Urime të gjithë qytetarëve Ditën e Evropës!

Sot shënohet Dita e Evropës

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t’i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.

Ndryshe kjo ditë festohet edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme.

Back to top button