Qeveria e Kosovës jep detajet nga takimet e radhës në procesin e dialogut
(Lajm i përditësuar)
Qeveria e Kosovës jep detajet nga takimet e radhës në procesin e dialogut
Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje nga takimet e raundit të sotëm në kuadër të procesit të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian sot në Bruksel.
Fillimisht, u mbajt një takim bilateral me Përfaqësuesin Special të BE-së, emisarin Miroslav Lajçak, ndërsa më pas u mbajt dhe një takim trilateral. Në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.
Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.
Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, pasur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Ana Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.
Njëra nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët. Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare.
Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë.
Bislimi thotë se takimi me Petkoviqin në Bruksel përfundoi pa rezultat “në tema të rëndësishme”
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi mes tij dhe homologut të vet serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, përfundoi pa “asnjë rezultat në temat e rëndësishme” të enjten në Bruksel, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Nis takimi trepalësh në Bruksel
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë duke e zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Nis takimi i Lajçakut me Bislimin
Ka nisur takimi mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, raporton rel.
Rundi i ri nisi të enjten me takimet dypalëshe, ku Lajçak së pari është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh.
Nisin takimet në Bruksel, Lajçaku e pret Petkoviqin
Në Bruksel pak pas orës 09:00 ka nsiur takimi i delegacionit nga Beogradi i udhëhequr nga Peter Petkoviq, me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton media serbe, Tanjug.
Delegacioni nga Kosova në këtë takim, përfaqësohet nga kryenegociatori Besnik Bislimi.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano tha dje se agjenda do të përfshijë nevojën për “fillimin e menjëhershëm të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit” dhe që të dyja palët “të bien dakord përfundimisht” për përparimin në dialog.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen më 24 tetor në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.
Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, edhe sot pritet që rundi i ri të fillojë me takime dypalëshe të delegacioneve ndaras me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, e pastaj, nëse do të ketë vullnet nga palët, mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh.
Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur një ditë para takimeve në kuadër të dialogut, tha se “koreografia do të jetë e zakonshme, BE-ja gjithmonë synon të ketë takime trepalëshe, por kjo do të varet nga vullneti i palëve”.
Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t’i bindë Bislimin dhe Petkoviqin të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t’i shtjellonin.
Në lidhje me temat që pritet të shtjellohen në takimet në Bruksel, Stano tha se ato kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu i deritashëm, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.
“Agjenda është e njëjtë sikur që ka qenë edhe në të kaluarën, pra nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të pajtohen për progresin në dialog”, tha Stano.
Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.
Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.
Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.
Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.
Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut./rel