Qeveria e Kosovës rriti shpenzimet në vitin 2018

Institucionet publike kanë shpenzuar rreth 20 milionë euro

Instituti GAP ka bërë një analizë të shpenzimeve publike të Qeverisë së Kosovës, duke i krahasuar të dhënat e vitit 2018 me ato të një viti më parë.

Sipas GAP gjatë vitit 2018, të gjitha institucionet publike kanë shpenzuar në total rreth 20 milionë euro për reprezentacion, përdorim të telefonave mobil, karburante për vetura si dhe mëditje për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Secila nga këto kategori ka pasur rritje nga viti 2017, ku shpenzimet për mëditje janë rritur për 45%, për reprezentacion për 18%, për telefona mobil për 30% si dhe për karburante për 1%.

“Për disa vite me radhë, Instituti GAP ka publikuar të dhëna për shpenzimet e ministrave e ministreve dhe zyrtarëve të kabineteve të tyre për mëditje, telefoni mobile, karburante dhe reprezentacion. Të dhënat për këto shpenzime janë mbledhur përmes kërkesave zyrtare në institucionet përkatëse ngase ato nuk publikohen në faqet zyrtare të institucioneve. Në të shumtën e rasteve, një numër i konsiderueshëm i ministrive vazhdojnë të mos përgjigjen në kërkesat tona si për shembull, Zyra e Kryeministrit në tri vitet e fundit është përgjigjur vetëm për shpenzimet e vitit 2017; Ministria e Punëve të Jashtme nuk na është përgjigjur për tri vite me radhë, Ministria e Administratës Publike për dy vite me radhë, Ministria e Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë është përgjigjur pjesërisht apo nuk është përgjigjur fare”, thuhet në raportin e GAP-it.

Duke u bazuar në postet drejtuese, në institucionet për të cilat kemi të dhëna, këshilltarët politikë kanë shpenzuar më së shumti për mëditje dhe përdorim të telefonave mobil, kurse zëvendësministrat/et kanë shpenzuar më së shumti për reprezentacion dhe për karburante për vetura.

· Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për mëditje të udhëtimeve zyrtare gjatë vitit 2018

· Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për përdorim të telefonave mobil për vitin 2018

· Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për reprezentacion në vitin 2018

· Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për karburante për vetura për vitin 2018./21Media

 

Back to top button