Qeveria e quan përpjekje të mirë propozimin e Lajçakut për dinarin

Pas dështimit të takimi midis kryenegociatorëve, Kosova dhe Serbia në ditët në vazhdim do të dërgojnë komentet e tyre në Bruksel rreth një propozimi të ndërmjetësit të dialogut Miroslav Lajçak i cili e bëri gjatë takimit të fundit.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se propozimi i Lajçakut është një përpjekje e mirë e ndërmjetësit për të gjetur një zgjidhje. Përfaqësuesit e pushtetit thonë se kompromis me palën serbe mund të bëhet vetëm për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së. Opozita kritikon Qeverinë se për të qëndruar në pushtet po bënë koncesione.

Dështimi i takimit të pestë me radhë për çështjen e dinarit në Bruksel, ka theksuar nevojën e domosdoshme për një kompromisi midis palëve drejt gjetjes së një zgjidhjeje. Ndërmjetësi i dialogut Miroslav Lajçak, tha se takimi midis kryenegociatorëve përfundoi duke prezantuar një dokument kompromisi në përpjekje për t’i tejkaluar dallimet. Qeveria e Kosovës ka pranuar që përmes kompromisit të gjendet një zgjidhje për dinarin.

Por, deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, sqaroi se bëhet fjalë vetëm për zbatimin e rregullores së BQK-së.

‘’Bëhet fjalë për kompromis në raport me mënyrën se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së për ta lehtësuar jetën e qytetarëve serbë në Kosovë”, tha Gjyshinca

Ndërkohë, opozita insiston se për dinarin nuk duhet të bisedohet me Serbinë, duke konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu, tha se Qeveria duhet të koordinohet me aletatët për vendimin e BQK-së.
‘’Qeveria të gjitha vendimet i ka jo në koordinim me aleatët ndërkombëtar. Kjo është një fatkeqësi për Kosovën” tha Musliu.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e quan jo transparente Qeverinë në proces të dialogut. Sipas saj, kryeministri Kurti për të qëndruar në pushtet është i gatshëm të bëjë koncesione të dëmshme për Kosovën.

‘’Kemi një Qeveri që nuk është transparente në raport me Kuvendin. Ne kemi parë se për ta mbajtur pushtetin janë në gjendje të bëjnë koncesione”tha Kadrijaj.

Takimi i radhës për dinarin midis kryenegociatorëve pritet të mbahet në mesin e muajit maj./RTV21/21Media

Back to top button