Qeveria e re ia nisi punës, Zaev ndanë detyrat

Zhbogar tha se Maqedonija tani ka një Kuvend dhe Qeveri funksionale

Kryeministri Zoran Zaev dhe kabineti i tij ia nisën ditën dhe mbledhjen e parë të punës. Zaevi foli për shumë prioritete dhe projekte, e ndër to ndarja e resorëve të ministrave pa resor dhe kompletimi i ministrive dhe drejtorive përmes emërimeve të reja. Kryeministri i ri përmendi edhe obligimet për anëtarësim në BE, ashtu që sipas tij, detyra e parë është që të hiqet rekomandimi i kushtëzuar nga Komisioni Evropian. Në kabinetin e tij i pari si mysafirë ishte ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.

“Do të bëjmë gjithçka që ti përmbushim pritjet e BE-së, që të kenë arsye të mjaftueshme qe ta heqin rekomandimin e kushtëzuar. Kemi caktuar takim me eurokomesarin Johanes Han që edhe ai ti tregojë pritjet e tij nga qeveria e re. Një nga kërkesat është përmbushur, e ajo ishte realizimi i zgjedhjeve korrekte. Patëm zgjedhje kredibile dhe dolëm nga kriza politike”, tha Zaev.

Maqedonija tani ka një Kuvend dhe Qeveri funksionale, ndërsa e ardhmja pritet me optimizëm, porositi euroambasadori Zhbogar.

“Mbrëmë Vardari dha optimizëm të madh tek njerëzit në vend dhe tani është koha qe të fillohet me punën e vërtetë dhe me implementimin e reformave. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë dhe të japim udhëzime për shkak se secilës Qeveri duhet ti ndihmohet. Të gjitha partitë politike dhe qytetarët duhet të jenë të kyçur në këtë proces”, tha Zhbogar.

Para fillimit të seancës qeveritare, mediave iu lejua që të vizitojnë objektin e qeverisë, i cili që kur ishte veshur me barok, ishte mbyllur për publikun. Për herë të fundit në vitin 2014 publiku kishte mundësi që ta shohë brendësinë e objektit të Qeverisë, kur qeveria e Nikolla Gruevskit organizoi manifestimin “Qilimi i kuq për qytetarët”.

Qilima të shtrenjtë, garnitura, fotografi artistike dhe abazhur svarovski janë vetëm një pjesë e interierit luksoz në të cilin ka punuar ekipi i Gruevskit dhe më pas Emil Dimitrievit. Afër 16,5 milion euro janë harxhuar për fasadat dhe për rregullimin e brendshëm të objektit sipas të dhënave zyrtare nga sistemi elektronik për furnizime publike./21Media

Back to top button