Qeveria e zhgënjyer me vendimin për heqjen e vizave të serbëve të Kosovës

Këshilli i Bashkimit Evropian ka marrë sot vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
E një gjë e tillë u cilësua i zhgënjyese për Qeverinë e Kosovës.
Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, tha për portalin rtv21.tv se ky vendim i Bashkimit Evropian nuk e zbeh faktin se ato pasaporta janë ilegale
“Shprehim zhgënjimin tonё me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me “liberalizimin e vizave” për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës. Cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona. Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Republikës së Kosovës. “, tha Kadiu.
Më tej ai e quajti këtë si vendim të ngutshëm, dhe që sipas tij dëmton përpjekjet e Kosovës për integrimin e komunitetit serb.
“Poashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё përcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë. Ky vendim, dëmton përpjekjet tona të vazhdueshme për integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Republika e Kosovës po zbaton politika në fusha të ndryshme, të cilat po i sjellin qytetarët më pranë institucioneve, e gjersa dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, pati rritje të ndjeshme e të prekshme të qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u pajisën dhe po pajisen me dokumentet e Republikës sonë.”, përfundoi Kadiu./21Media
Këshilli i BE-së merr vendim për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës