Qeveria i dërgon shtatë faqe komente në Bruksel, akuzon Serbinë për shkelje

Qeveria e Kosovës përmes një dokumenti shtatë faqësh dërguar ditën e enjte në Bruksel ka evidentuar shkeljet që po i bënë Serbia marrëveshjes bazë për bormalizim të marrëdhënieve. Këshilltari i zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, tha për rtv21 se në komente Qeveria ka kërkuar zbatim paralel të marrëveshjes nga të dyja palët.
“Qeveria e Republikës së Kosovës përmes zëvendëskryeministrit të parë dhe kryenegociatorit të saj në procesin e dialogut, Besnik Bislimi, ka dërguar drejt BE-së komentet rreth draftit të 10-të të planit të sekuencimit të emisarit Lajçak, në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues. Këto komente e propozime janë dërguar përmes një dokumenti shtatë faqësh dhe kemi marrë konfirmimin për pranimin e të njëjtit nga ana e Brukselit. Disa prej çështjeve të adresuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes komenteve të dërguara, kanë të bëjnë me zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike, në tërësinë e të gjitha neneve të saj e natyrisht dhe pranimin e marrëveshjes nga palët, patur parasysh refuzimet e shpeshta, edhe publike të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike. Gjithashtu, është shprehur nevoja për mosdevijimin, por respektimin e parimeve të marrëveshjes, e ku një shembull është ajo e ecjes paralele në zbatim, ku njëra palë bën një hap e pala tjetër një hap tjetër”, tha Kadiu për rtv21.
Qeveria e Kosovës ka akuzuar vazhdimisht Serbinë për shkelje të marrëveshjes që arritja e saj vitin e kaluar. Ndërsa, këshilltari Kadiu thotë se pala kosovare i ka plotësuar pjesën e obligimeve të saj të parapara në marrëveshje.
“Në dokument janë ofruar ndër të tjera edhe komente e argumente mbi atë se pala e Kosovës ka përmbushur një pjesë të obligimeve nga ana e saj, teksa kundërpërgjigjja e Serbisë ndaj këtij konstruktiviteti nga ana e jonë, kanë qenë shkeljet e vazhdueshme të frymës dhe neneve të marrëveshjes”, tha Kadiu.
Baahkimi Evropian nuk ka dashur të jap detaje në lidhje me përmbajtjen e komenteve të dërguara nga Kosova dhe Serbia për zbatim të marrëveshjes. Por, kanë thënë se u takon palëve të flasin mbi to./RTV21/21Media