Qeveria javën e ardhshme “tërheq” vendimin për ndalimin e mallrave serbe

Qeveria e Kosovës thotë se është e angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm. Por ajo nuk ka dhënë detaje nëse deri javën e ardhshme do të gjejë zgjidhje me Gjermaninë për tërheqjen e vendimit që ndalon importin e mallrave serbe, si një parakusht për tregti të lirë që buron nga Organizata CEFTA dhe ndërlidhet me Procesin e Berlinit. Njohës të proceseve integruese paralajmërojnë Qeverinë se Kosova rrezikon të përjashtohet nga ky Proces nëse ajo nuk i dëgjon sugjerimet e Gjermanisë.
Diplomatë Gjermanë kanë intensifikuar, javët e fundit, përpjekjet për të gjetur një zgjidhje me Qeverinë e Kosovës për përfaqësimin e saj në Procesin e Berlinit dhe CEFTA. Kosovës i është kërkuar që të shfuqizojë vendimin që ndalon importin e mallrave me origjinë serbe, të vendosur prej më shumë së një viti për shkaqe, sic thuhet, të sigurisë. Por pavarësisht përpjekjeve dhe takimit të zëvendëskryeministrit Bislimi dhe emisarin Gjermani Sarrazin në Prishtinë, një zgjidhje nuk është dhënë ende. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i tha RTV21 se janë duke punuar që Procesi i Berlinit të ketë mbarëvajtje.
“Po punojmë dhe jemi të angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”, tha Kryeziu.
RTV21 ka kërkuar të marrë përgjigje edhe nga përfaqësuesit e Organizatës së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore CEFTA për kontributin e Kosovës në CEFTA, proceset që Kosova mund të ketë bllokuar dhe pasojat që mund të dalin nga një bllokadë e mundshme por nuk kemi marr përgjigje. Gjermania, ndërkohë, i ka bërë me dije Kosovës se mund të vazhdojë Procesin e Berlinit edhe pa pjesëmarrjen e Kosovës. RTV21 merr vesh se Qeveria e ka në tryezë një propozim gjerman për zhbllokimin e ngërçit, por thuhet se dokumenti parasheh që tërheqja e masës ndaluese për mallrat serbe të jetë e përhershme, gjë që është kundërshtuar nga Qeveria.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Siguri dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Florim Rullani, e quan dëm serioz përplasjen e Qeverisë me Gjermaninë për shkak të CEFTA-s. Sipas tij, Qeveria po tregon papjekuri diplomatike e cila do të ketë reflektim negativ në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimi Evropian.
“Është një dëmtim serioz i raporteve të shkaktuara me Gjermaninë. Është shqetësuese edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Është e rëndësishme mirëmbajtja e miqësisë duke e ditur edhe peshën e Gjermanisë. Kryeministri po shpërfaq edhe nervozizmin e tij për shkak të dështimit në Këshillin e Evropës. Këtu vërehet një papjekuri diplomatike. Dëmtimi i raporteve me Gjermaninë nuk është në interesin e Kosovës”, tha Rullani.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, vlerëson se përplasjet e Qeverisë me Gjermaninë për tërheqjen e vendimit për ndalimin e importit të mallrave me origjinë serbe mund ta përjashtojë Kosovën nga Procesi i Berlinit.
“Në rast se nuk përputhen politikat që ka kërkuar Gjermania në raport me Kosovën sa i përket lirisë së qarkullimit të mallrave atëherë mund të jetë një lloj faze që Kosova për një periudhë të caktuar mund të përjashtohet nga nga ky proces. Për më tepër mund ta rrezikoj veten në Procesin e Berlinit i cili është një proces paraanëtarësues në Unionin Evropian”, tha Sadiku për rtv21.
Kosova ka një afat edhe një javë për të vendosur nëse do ta shfuqizojë vendimin për mallrat serbe, por burimet e RTV21 thonë se Qeveria pritet që të vendos për shfuqizimin e vendimit, brenda javës së ardhshme.
Arbnor Sadiku e Florim Rullani, thonë se nëse nuk ndodh kjo, Kosova do të humb peshën e saj për pjesëmarrje në iniciativat rajonale.
“Të gjitha përplasjet me bashkësinë ndërkombëtare do të shkaktojë telashe për Kosovën që të jetëpjesë e këtyre organizatave”, tha Sadiku.
“Nuk mund të ketë peshë të njejtë pjesëmarrja në Proces të Berlinit nëse janë raportet e dëmtuara pa një zgjidhje”, tha Rullani.
Samiti i Procesit të Berlinit do të nis punën më 14 të këtij muaji në Berlin të Gjermanis dhe përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane do të udhëtojnë nga mesi i javës së ardhshme në Berlin për, siç kanë thënë, takime që ndërlidhen me Procesin e Berlinit./RTV21/21Media