Qeveria kërkon miratimin e zgjatjes së masave emergjente për energji

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për vazhdimin e masave emergjente të furnizimit me energji.
Përmes këtij vendimi, Qeveria i propozon Kuvendit të Kosovës, zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme.
“Zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes se kërkesës për energji dhe gjendjes jostabile të furnizimit me energji elektrike. Mungesa e energjisë, vjen si pasojë e vjetërsisë së kapaciteteve aktuale gjeneruese, investimet parciale në këtë sektor dhe rritja e vazhdueshme e konsumit. Kjo shtron nevojën emergjente të zgjatjes së masave për 30 ditë, për shkak të nevojave që mund të paraqiten nga pasojat e krizës energjetike ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Qeveria kishte marrë vendim për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë më 1 gusht të këtij viti dhe ishin miratuar pas tri ditësh në Kuvend të Kosovës dhe afati i tyre ishte përcaktuar fillimisht 60 ditë me mundësi vazhdimi.
Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 ditësh me shumicë votash të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 ditë.
Qeveria u arsyetua se mori masat e shtyrë nga gjendja botërore energjetike si rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejme të çmimit të importit./21Media

Back to top button