Qeveria Kurti mbështet ndryshimin e Ligjit për festat

Qeveria Kurti mbështetë kërkesën që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë pune në rastet kur ato bien gjatë ditëve të fundjavës. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi.
“Ne e mbështesim në parim ndryshimin e dispozitës e cila aktualisht përcakton që në rastet kur festa zyrtare bie gjatë ditëve të fundjavës, të përcjellet me ditë pushimi në ditët pasuese të punës”, ka thënë Kelmendi për rtv21.tv.
Po ashtu Kelmendi ka thënë se në bazë të përgjegjësive dhe kompetencave të saj, Qeveria do të mbështeste çfarëdo nisme për plotësim-ndryshimin e kësaj dispozite të Ligjit për Festat Zyrtare.
Të premten, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.
Në kalanderin e festave zyrtare për vitin 2022 janë 11 festa, ndërsa 9 ditë pune (e hënë, e martë) janë ditë pushimi për festat që bien gjatë fundjavave./21Media

Back to top button