Qeveria mban mbledhje elektronike, aprovon gjashtë vendime

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sonte mbledhje elektronike, në të cilën ka aprovuar gjashtë vendime.
Vendimi i parë ka të bëjë për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 19 milionë eurove, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, në kuadër të masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.
Mjetet e ndara sipas Qeverisë do të përdoren për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, e cila do të reflektohet në faturat e konsumatorëve.
Po ashtu, në kuadër të masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, janë ndarë 6 milionë euro, me qëllim subvencionimin e zbatimit të masave të eficiencës së energjisë.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndalimin e eksportit dhe ri-eksportit të produkteve të drurit si lëndë djegëse. Ky ndalim është i përkohshëm dhe në përputhje me Tarifën e Integruar të Kosovës të vitit 2022.
U aprovua edhe vendimi për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për shtator 2022, në kuadër të zbatimit të masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Me vendim të Qeverisë, janë shpallur me interes të veçantë publik pronat e paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik” në zonat kadastrale Bërnjak dhe Jasenovik i Epërm në Komunën e Zubin Potokut.
Po ashtu, është miratuar plotësimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës i datës 29 qershor 2022, lidhur me afatin e regjistrimit të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që do të vazhdojë deri më 31 tetor 2022./21Media

Back to top button