Qeveria me vendim të ri për targat ilegale

Qeveria e Kosovës ka vendosur të bëjë shkallëzimin e sanksioneve për pronarët e mjeteve me targa ilegale që nuk e respektojnë afatin e vendosur për kthim të targave ilegale në ato RKS, deri më 31 tetor.
Ky vendim është marrë të premten në mbledhjen e 103-të të Qeverisë.
“Targat PR, KM, PZ, GL, UR, PE, DA apo GJA, janë targa ilegale. Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vendimit ka obliguar pronarët e mjeteve me targa ilegale t’i kthejnë në targa zyrtare  RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme, me ministrinë e linjës dhe me organet e sigurisë. Kemi ardhur në përfundim të sjellim propozim një vendim, i cili  bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi”, ka thënë Kurti.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntori deri më 21 nëntor 2022, do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Kurti ka theksuar se nëpërmjet këtij sekuencim dhe shkallëzim, Qeveria tregon seriozitetin që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e në të njëjtën kohë t’u japin shanse të gjithë atyre që janë të interesuar të integrohen.
“Është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin dhe ligjin, por në anën tjetër edhe të kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare, sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm./21Media

Back to top button