Qeveria miratoi Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, që kap vlerën prej dy miliardë e 748 milionë euro.
Në mbledhjen e qeverisë, u tha se ky projekt-buxhet ka objektivë konsolidimin e ringjalljes ekonomike, riorientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe përkrahjen e punësimit.
Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti deklaroi se për herë të parë do të ndahen mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës.
Ai theksoi se buxhetin prej më shumë se 2 miliardë euro do të fillojnë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin, ndërkohë që do të përkrahin edhe studentët me më shumë se dy mijë bursa.
”Jo vetëm se ky buxhet është i yni, por këso buxheti nuk ka pasur asnjëherë më parë. Me këtë buxhet ne do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin, në mënyrë që fëmijët të kenë kujdesin e duhur e gratë të integrohen në tregun e punës. Me këtë buxhet ne kemi ndarë 45 milionë euro për të mbështetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehonat dhe për shtesat për fëmijë. Kemi bërë studimet falas për të gjithë studentët dhe do të ndajmë edhe 2 mijë bursa shtesë për ata që janë më të mirët. Me këtë buxhet do të mbështesim shkencën dhe hulumtimin. Kemi shtuar 35 milionë euro të pensionit dhe skemat sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro dhe shtesa për skema sociale prej 30 për qind të bëhet e përhershme”, deklaroi Kurti.
Para miratimit të projekt-buxhetit, Kurti theksoi se për herë të parë kanë ndarë 10 milionë euro për blerjen e ambasadave për shtetet aleate. Ndërkaq, shtoi se rritje të buxhetit ka pasur edhe për bujqësinë në vlerë prej 70 milionë euro.
”Kemi shtuar edhe 24 milionë euro shtesë për sigurimin e barnave esenciale. Me këtë buxhet do të nisim ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë që të bashkojë dy qytete që i ndan mali i përbashkët i Sharrit. Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës me shumë prej dy milionë euro. Kemi ndarë 50 milionë euro për të paguar borxhet e shpronësimeve që kemi trashëguar, ashtu që më në fund të mund të kryhen rrugët që janë në proces që sa e sa vite. Kemi ndarë buxhetin dhe do të fillojmë projektin e banimit social të përballueshëm sapo të bëhet studimi i fizibilitetit në pranverën që vjen”, shtoi tutje Kurti.
Kryeministri, Kurti u zotua se me 10 milionë euro të ndara do të furnizojnë policinë dhe zjarrfikësit me pajisje moderne e të sigurta.
Më tej, ai tha se me kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri i AKP-së, ato mjete i kanë orientuar në ushtri dhe si rezultat do të rekrutojnë 800 ushtarë të rinj.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati ka prezantuar buxhetin për vitin 2022, ku theksoi se ka objektivë konsolidimin e ringjalljes ekonomike, riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe përkrahja e punësimit.
”Si tërësi, buxheti i vitit 2022 pritet të arrij vlerën 2 miliardë e 748 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 8,7 për qind apo 220 milionë euro, krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti. Ndërsa, hyrjet totale të buxhetit pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 364 milionë euro, që paraqet një rritje prej 15 për qind në raport me vitin paraprak ose në vlerë nominale një vlerë në rritje prej 310 milionë euro krahasuar me buxhetin fillestar”, ka thënë Murati.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Murati shtoi se viti 2022 pritet të mbyllet me një bilanc bankar të mjaftueshëm me 4,9 për qind të bruto-prodhimit vendor. Ndërsa, 55 milionë euro janë të ndarë për ligjet e reja të mundshme që mund të miratohen gjatë vitit të ardhshme./21Media

Back to top button