Qeveria ndan shtesa prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

(Lajm i përditësuar)
Qeveria e Kosovës ka votuar për subvencionimin e fëmijëve me nga 100 euro për këtë vit dhe po ashtu ndarjen e një shtese njëherëshe prej 100 eurove për pensionistët
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se të gjithë fëmijët që janë përfitues të skemave aktualisht do të përfitojnë nga 100 euro.
“Prindërit nuk kanë nevojë për aplikim, pasi mjetet do të kalojnë në xhirollogarinë e tyre”, ka thënë Murati.
Qeveria propozon ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e 178 të Qeverisë njoftoi se do të marrë vendim vendimin për shtesat prej 100 euro për pensionistët si dhe subvencionimin e fëmijëve.
Ai ka thënë se sivjet do të ndahen nga 100 euro për fëmijët e vitet tjera do të fillohet me deklarim të ardhurave të prindërve për të bërë kategorizimin.
Derisa për pensionistët Kurti tha se krahas pensionit aktual që pensionistët marrin, ata do të marrin edhe këtë shtesë prej 100 euro këtë muaj, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës.
“Që në këtë vit nuk kemi harruar as pensonistët tanë. Do të përkujdesemi me një vendim tjetër në këtë mbledhje.
Për të gjithë pensionmarrësit, për këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme do të miratojmë shtesën njëherësh prej 100 euro përveç pensionit të rregullt që marrin”, tha Kryeministri Kurti.