Qeveria: Nuk dalin pagat për ata që ishin në grevë

Qeveria e Kosovës, për muajin shtator ekzekutoi pagat vetëm për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat e përgjegjësitë e tyre.
Kështu deklaroi për rtv21.tv Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë Kryeziu.
Mosekzekutimin e pagave për punëtorët që ishin pjesë e grevës, e cilësoi vepër penale shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri. Ai paralajmëroi kallëxim penal ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kujtojmë se greva e mësimdhënësve dhe punëtorëve të administratës publike filloi më 25 gusht 2022, ndërsa u pezullua më 1 tetor 2022./21Media

Back to top button