Qeveria për parafinancimin nga Plani i Rritjes: Konstituimi i legjislaturës së re i hapë rrugë lëshimit të fondeve

Përderisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të parat vende të rajonit për të cilat Bashkimi Evropian ka bërë pagesat e parafinancimit nga Plani i rritjes, Kosova vazhdon të jetë peng i formimit të institucioneve të reja, konkretisht, konstituimit të Kuvendit. Kjo pasi që përfitimin e mjeteve të para Kosova duhet që ta ratifikojë në Kuvend marrëveshjen me BE-në.
Qeveria e Kosovës nuk komentoi për dëmin që mund të shkaktohet nga vonesa e formimit të institucioneve të reja sa i përket mjeteve nga Plani i Rritjes, por tha se me konstituimin e legjislaturës së re, hapet rruga për votimin e miratimin e këtyre marrëvshjeve, rrjedhimisht, lëshimit të fondeve nga Bashkimi Evropian.
“Kosova ka miratuar në qeveri vitin e kaluar Agjendën e Reformave gjersa përmes këtij instrumenti vendi ynë do të mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, në formën e huave dhe granteve, për periudhën 2024-2027. Si hap vijues është ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe Marrëveshja për Hua. Me konstituimin e legjislaturës së re, hapet rruga për votimin e miratimin e të njëjtave. Pas këtij miratimi, hapet rruga për lëshimin e fondeve nga Bashkimi Evropian, tha për RTV21, këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislmi, Klisman Kadiu.