Qeveria rriti pagat e sektorit publik, por nuk mbështet atë privat

Rritja e pagave për sektorin publik pa përfshirë asnjë mbështetje për atë privat konsiderohet të krijojë ndasi ekonomike. Njohës të fushës vlerësojnë se sektori privat, e veçanërisht bizneset po hasin në barriera, ndërsa rekomandojnë Qeverinë të krijojë klimë të përshtatshme të të bërit biznes.

Punëtoret e mirëmbajtjes në Kuvendin e Kosovës, tash e 7 javë janë në grevë me kërkesën për rritje të pagës.
Ndonëse qeveria premtoi rritje pagash nga janari i vitit të ardhëm në sektorin publik, punëtoret e kompanive privat të kontraktuara nga institucionet publike, ndjehen të diskriminuar.

“…sot e përfundojmë javën e 7-të. Përgjigje ende nuk kemi po presim me na u mbushë kërkesat tona. 550 euro paga. Na e kena pas deri tash 275 tash me rritjen e qeverisë ende skemi marrë kurgjo…ka qenë normal e vështirë sepse gjërat shumë shtrenjtë…qe 16 vite punoj këtu…”, tha për rtv21 Nebahate Krasniqi – punëtore e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha për rtv21 se përpos kësaj, problem kanë edhe me disa kompani, të cilat nuk po respektojnë as vendimin e pagës minimale.

“Çdo rritje e çmojmë, sa është e mjaftueshme e vlerësojnë të tjerët. Ne tani nuk e kemi problemin e pagës tek puntorët që janë me kompaninë direkt private. Kemi problem tek kompanitë publiko private. Sipas të gjitha gjasave do del problem edhe me vendimin e pagës minimale, sepse disa kompani sipas infove nuk do të respektohet”, tha Azemi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se sektori privat, e veçanërisht bizneset po hasin në barriera. Sipas tij, Qeveria duhet të përkrahë edhe sektorin zhvillimin e sektorit privat, në mënyrë që të ketë rritje pagash.

Krahasuar me sektorin publik, ai privat po ndihet i lënë anash, thotë kryetari i Lidhjes se Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj.

“Rritja e pagave për sektorin publik, duke lënë anash sektorin privat, mund të krijojë një pabarazi në tregun e punës dhe të ndikojë negativisht në motivimin e punonjësve në sektorin privat. Sektori privat po përballet me sfida si rritja e kostove të prodhimit, mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara dhe konkurrenca e ashpër. Mbështetje nga qeveria për sektorin privat është shpesh e kufizuar, dhe shumë biznese ndihen të lëna pas në krahasim me sektorin publik”, tha Dreshaj për rtv21.

Rritja e njëanshme e pagave në sektorin publik pa një ndërlidhje direkte me sektorin privat sipas Institutit për Politika Zhvillimore, shkakton jo vetëm ndasi ekonomike, por ndikon në të gjithë ekuilibrin ekonomik të vendit. Sipas këtij instituti, ndryshimet duhet të jenë rezultat i rritjes ekonomike të përgjithshme dhe të vendimmarrjes së përbashkët sociale, e jo premtimeve a vendimeve në prag të zgjedhjeve./RTV21/21Media

Back to top button