Qeveria rriti shpenzimet
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar llogaritë Qeveritare gjatë tre muajve të fundit të vitit 2022.
Sipas këtyre të dhënave Qeveria e Kosovës ka rritur shpenzimet e saj për 143.9 milionë euro në tremujorin e fundit të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
“Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM4 2022 ishin 966.5 milion Euro, që është një rritje e shpenzimeve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021), që ishin ishin 822.6 milion Euro.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kontributet sociale dhe përfitimet me 19.0%; subvencionet me 18.0%; kompensimi i punëtorëve me 18.0%; formimi i kapitalit bruto me 15.0%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Gjithashtu janë rritur edhe të hyrat.
“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM4 2022 ishin 732.1 milion Euro, që është një rritje e të hyrave, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021), që ishin 627.1 milion Euro.
Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë: tatimet në produkte (67.0%) të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura (13.0%); aktivet dhe detyrimet financiare (11.0%); pagesat për prodhimet jo-tregtare (4.0%); ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.”, thuhet në njoftim
Çmimet e importit shënojnë ngritje
Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë u ngrit për 1.0 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e tretë të të njëjtit vit, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës. (ASK)
Sipas kësaj agjencie ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: letra dhe artikujt prej saj (9.4%); druri dhe artikujt prej tij (6.0%); produktet bimore (5.8%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (4.1%); produktet e industrive kimike (3.4%); shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve (2.7%); mjetet e transportit (2.5%); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (1.9%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (1.3%); lëkura dhe artikujt prej saj (1.3%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (1.1%); këpucët (1.0%); dhe instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinave, muzikore dhe mekanizmat e orës (0.3%).
“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: produktet minerale (-3.5%); plastika, kauçuku dhe artikujt prej tyre (-2.9%); metalet bazë dhe artikujt prej tyre (-1.4%); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-0.3%); dhe vajrat ushqyese (-0.1%).”,thuhet në njoftimin e ASK-së.
Më tej bëhet e ditur se çmimet e Importit në Kosovë patën ngritje në një mesatare prej 13.0% në TM4 2022, krahasuar me TM4 2021. Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: produktet minerale (26.5%); produktet bimore (23.7%); vajrat ushqyese (23.0%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (22.8%); druri dhe artikujt prej tij (16.7%); letra dhe artikujt prej saj (16.3%); plastika, kauçuku dhe artikujt prej tyre (14.9%); shtazët e gjalla dhe prodhimet e shtazëve (14.6%); mjetet e transportit (10.6%); këpucët (10.6%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (8.4%); produktet e industrive kimike (7.4%); tekstili dhe artikujt prej tekstilit (7.4%); metalet bazë dhe artikujt prej tyre (6.9%); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (6.5%); dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (4.5%).
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: lëkura dhe artikujt prej saj (-10.8%); dhe instrumentet optike, fotografike, matëse, madicinale, muzikore dhe mekanizmat e orës (-0.1%)./21Media