Qeveria shkel ligjin nëse nuk e dërgon statutin e Asociacionit në Kushtetuese!

Qeveria e Kosovës nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim pavarësisht kërkesave të shtuara të faktorit ndërkombëtar. Përfaqësues të Qeverisë dhe të partisë në pushtet draftin evropian për asociacionin e quajnë dokument jo zyrtar. Sipas tyre, i takon Qeverisë ta hartojë draftin e saj. Ish-gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese dhe njohës ligjor paralajmërojnë Qeverinë se po bënë shkelje ligjore duke mos dërguar draftin në Kushtetuese sepse, siç thonë, i njëjti është obligim ligjor i Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së Jeff Hovenier dhe ai i Gjermanisë Jorn Rohde i kanë ripërsëritur kërkesën Qeverisë që ta dërgojë sa më shpejt draft-statutin e asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Ata thanë se nuk po i kërkojnë Qeverisë zbatimin e plotë të Asociacionit, por ndërmerrjen e hapit të parë dhe të dukshëm që drafti evropian të marrë vlerësim nga kushtetuesja si institucioni i vetëm që ka kompetenca për një vlerësim të tillë.

Por, Qeveria e Kosovës ka refuzuar të ndërmarr një veprim të tillë. Kryetari i Komisionit për Legjislacion nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se draft-statuti evropian nuk është dokument zyrtar.

“Ai është një dokument punë, nuk është një dokument zyrtar. Si përgjegjësi dhe autorizim i takon institucioneve të Kosovës. Ne kemi pasur vërejtje kapitale për këtë draft”, tha Rrustemi për rtv21.

Ndëkrohë, ish-gjykatësi i gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, e quan shkelje ligjore dhe kushtetuese nga ana e Qeverisë mos dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese sepse, siç tha, Asociacioni është obligim ligjor nga marrëveshja e vitit 2013-2015 e cila është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Asociacioni ka kaluar në Parlament që është shndërruar në ligj. Kemi edhe një vendim të gjykatës kushtetuese për asociacionin e cila konsiderohet si ligj bazikë dhe në bazë të saj dhe të marrëveshjes së vitit 2013 duhet të themelohet Asociacioni”, tha Kryeziu.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Astrit Kolaj, vlerëson se marrëveshjet ndërkombëtare janë obligim për Qeverinë edhe nëse ato nuk kanë nënshkrim. Sipas tij, këtu bënë pjesë edhe draft-statuti për asociacionin të cilin Qeveria po e quan dokument jo zyrtar.

“Çdo zotim ndërkombëtar me apo pa nënshkrim janë obligime të shtetit të Kosovës siç është marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Të dyja duhet t’i implementoj nëse dëshiron që të ecë rrugës së integrimeve për në BE. Po ashtu një draft i asociacionit që është dorëzuar nga një delegacion i gjerë i përfaqësuar nga evropianët dhe amerikanët nuk mund të quhet një draft pa adresë. Është me rendësi që ky draft të adresohet në kushtetuese dhe ajo të vlerësojë nëse e shkel kushtetutën apo jo”, tha Kolaj.

Por, deputeti VV-së Adnan Rrustemi vlerëson se qëndrimi i Qeverisë është i drejtë dhe parimor në interes për Kosovën. Presionin ndërkombëtar vlerëson se është prezentë gjatë tri vjetëve të qeverisjes Kurti.

“Këto presione në formë të kërkesave kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës së qeverisjes tre vjeçare të qeverisjes. Por, argumentet tona kanë qenë të fuqishme përballë qasjes si të veçante të pikës së shtatë ku flitet për asociacionin”, tha Rrustemi.

Draft-statuti i Asociacionit ishte dorëzuar në tetor të vitit të kaluar nga një delegacion i gjerë i përbërë nga zyrtarë evropianë dhe amerikanë. I njëjti është mbështetur edhe nga liderët kryesorë Evropian, kancelari Scholz, Presidenti Macron dhe kryeministrja Meloni./RTV21/21Media

Back to top button