Qeveria themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për siguri kibernetike, ku përmes këtij projektligji themelohet edhe Agjencia për Siguri Kibernetike.
Kryeministri Albin Kurti tha se Projektligji për siguri kibernetike përcakton parimet për parandalimin e sulmeve kibernetike në Kosovë.
“Ky ligj ka për qëllim që të përcaktojë parimet e sigurisë kibernetike, si dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në Kosovë. Përmes këtij projektligji themelohet Agjencia për Siguri Kibernetike, që do të jetë institucioni kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Kosovë. Kjo agjenci do te kontribuoj në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike. Agjencia do të ketë për detyrë të monitorojë, inspektojë dhe koordinojë aktivitetet e institucioneve për siguri kibernetike në vendin tonë, si dhe do të ndërmerr masa në rast të mos zbatimit të obligimeve të parapara me këtë ligj. Detyrë me rëndësi e Agjencisë do të jetë reagimi ndaj kërcënimeve dhe incidenteve në hapësirën kibernetike të Kosovës. ”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ditëve të fundit institucionet e Kosovës janë përballur me sulme kibernetike, duke pamundësuar shërbimet për qytetarë.
Sveçla vlerësoi se projektligji do të krijojë bazë ligjore për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik./21Media

Back to top button