Qeverisë i kërkohet ta reformojë sistemin për mbrojtje sociale
Një analizë e re e Bankës Botërore thotë se Kosova duhet t’i reformojë programet e saja për mbrojtje sociale për të siguruar që ato të reduktojnë varfërinë dhe sjellin përmirësime në ekuitet dhe kapital njerëzor.
Analiza e prezantuar sot në Prishtinë, synon ta mbështesë Kosovën për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të saj për mbrojtje sociale. Ajo vë re se pandemia COVID-19 dhe kriza ekonomike pasuese kanë nxjerrë në pah sfidat që nuk ua lejojnë programeve për mbrojtje sociale ta mbrojnë efektivisht popullatën e varfër dhe të cenueshme dhe të promovojnë qëndrueshmërinë e tyre në Kosovë.
Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci tha se një sistem i fortë për mbrojtje sociale mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e krijimit të vendeve të punës.
Ndërsa, ambasadori Tomash Szunyog, udhëheqës i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se Qeveria duhet ta reformojë sistemin për mbrojtje sociale, si dhe për të ofruar kushte të mira jetese.
“Teksa Kosova shpenzon shuma të konsiderueshme parash për mbrojtjen sociale, alokimet për përfituesit e skemave të ndryshme të mbrojtjes sociale nuk janë adekuate dhe me ekuitet, si dhe krijojnë pabarazi. Prandaj, është koha që qeveria ta reformojë sistemin për mbrojtje sociale dhe ta përdorë atë për ta zhdukur varfërinë, për të rritur punësueshmërinë, si dhe për të ofruar kushte të mira jetese për të gjithë,” tha ai.
Ndryshe, analiza e Bankës Botërore vlerëson shkallën në të cilën sistemi për mbrojtje sociale e përmbush qëllimin e tij. Ajo përshkruan disa nga sfidat kryesore aktuale dhe propozon reforma afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.
Analiza arrin në përfundimin se shpenzimet për ndihmë sociale në Kosovë janë të orientuara drejt transfereve të parave të gatshme që nuk kanë lidhje me varfërinë, duke e bërë sistemin për mbrojtje sociale të pa balancuar, përkundër buxhetit të konsiderueshëm./21Media