“Qeverisja e këtij koalicioni, në krye me PDK-në, është e dëmshme për Kosovën”

Sipas Mustafës, koalicioni qeverisës po e kolapson Kosovën

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka adresuar edhe njëherë shqetësimet e tij për koalicionin qeverisës, duke thënë se kjo qeverisje në krye me PDK-në është e dëmshme. Këto deklarata Mustafa i ka dhënë në Facebook, ku ka shkruar se ky koalicion po e kolapson Kosovën.

“Koalicioni, që rrihte gjoks se do të merr vendime të mëdha, po e kolapson Kosovën. Po mbushen tre javë me shkolla e fakultete te mbyllura, e këta vazhdojnë të bëjnë pazare; Mijëra pacient presin për tu operuar, ndërkaq kirurgët vazhdojnë grevën; Të pakënaqur me paga shprehen edhe gazetarët e RTK-së, doganierët, infermierët, punonjësit e shërbimit korrektues… “, ka shkruar shefi i LDK-së.

Më tej ka thënë se ky koalicion ia humbi Kosovës 13 njohje. 

“PSD e shantazhon Qeverinë me Ligjin për paga, Ligjin për dialogun, shkarkime e ngarkime… ashtu siç e shantazhonte Lista Serbe; Po hyjmë në muajin e tretë, që katër komuna në veri nuk e pranojnë sovranitetin shtetëror; Ky koalicion dështoi në liberalizimin e vizave, në anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dështoi me kontratën e Kosovës së Re, sepse u tërhoq financuesi kryesor – Banka Botërore, po e shkatërron Telekomin me punësime partiake sikurse edhe ndërmarrjet e tjera publike; Ky është koalicioni me Qeverinë me 1/3 e ministrave me aktakuza me mbi 80 zëvendësministra; Ky koalicion ia humbi Kosovës 13 njohje; Korrupsioni, sipas matjeve ndërkombëtare është në rritje;”, ka shkruar ai.

Mustafa më tutje ka deklaruar se raportet me SHBA dhe BE janë përkeqësuar. 

“Marrëdhëniet me SHBA dhe BE janë përkeqësuar. E gjithë kjo nuk habitë. Janë këta të njëjtit që për dy vite e gjysmë e kallën Kosovën, erdhën në pushtet me dhunë; kundërshtuan Marrëveshjen për demarkacionin deri sa erdhën në pushtet; janë të njëjtit që organizuan anulimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por nuk arritën, në dhjetor të vitit 2017 dhe që nuk mërziteshin as për BE-në e as për SHBA-të.
Kosova nuk duhet t’ia besoj edhe më tutje këtij koalicioni qeverisjen e vendit; nuk duhet t’ia besoj dialogun për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, nuk duhet t’ia besoj arkën e shtetit… Qeverisja e këtij koalicioni, në krye me PDK-në, është e dëmshme për Kosovën.”, e ka përmbyllur postimin Mustafa.
/21Media

Back to top button