QKMF e Mitrovicës bëhet me rëntgen digjital

Bahtiri: Kjo aparaturë i është nevojitur gjatë Mitrovicës

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë, “Nexhat Çuni”, është pajisur sot me rëntgen digjital që u realizua përmes investimeve kapitale komunale, vlera e të cilit kap shumën mbi 100 mijë euro, ndërsa u tha se pacientët më nuk do të kenë nevojë të drejtohen në institucione private.

Në përurim të këtij rëntgeni dhe për të parë nga afër punën me këtë aparaturë, ishin të pranishëm edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj, si dhe zyrtarë tjerë komunalë.

Kryetari Bahtiri, tha se një aparaturë e tillë që i përket teknologjisë më të përsosur, i është nevojitur që shumë kohë qytetit të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.

“Sot kemi ardhur të përurojmë aparaturën që i është nevojitur gjatë Mitrovicës. Është teknologjia e fundit që ka kushtuar mbi 100 mijë euro dhe e kemi vendosur në QKMF për shërbimin e qytetarëve. Është e digjitalizuar me teknologjinë më të përsosur, dhe shpresoj se qytetarët do të jenë mirënjohës”, ka thënë Bahtiri.

Ndërkaq, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj, tha se vazhdon të jetë e përkushtuar për shërbime sa më të mira dhe sa ma cilësore për qytetarët. Sipas saj, blerja e rëntgenit digjital është investimi më i madh i Drejtorisë së Shëndetësisë në 20 vitet e fundit, që për qytetarët nënkupton kursim në kohë dhe mjete financiare.

“Blerja e kësaj aparature do të thotë kursim në kohë dhe në mjete financiare për qytetarët e komunës së Mitrovicës, sepse këtë shërbim të radiografisë do ta marrin në më pak se tre minuta, njëkohësisht do të kursejnë dhjetëra euro…Natyrisht, pacientët nuk do të drejtohen më në institucione private, pasi që këtë shërbim do ta marrin për vetëm dy euro në QKMF”, theksoi Hasanaj.

Back to top button