QUINT nuk e mbështet hapjen e urës në Mitrovicë, Qeveria e Kosovës insiston

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë bërë me dije se nuk e mbështesin hapjen e urës mbi lumin Ibër. Dekalarimet e tyre erdhën pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, dhe Zyra e tij përmes një komunikate për media, pavarësisht qëndrimit ndërkombëtar, ka thënë se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet për qarkullim.
Janë bërë tetë vjet nga diskutimet në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për hapjen e urës mbi lumin Ibër, pikërisht në këtë ditë të gjithë ambasadoret e vendeve të QUINT-it në orët e hershme zhvilluan takim me kryeministrit Kurti. Pas këtij takimi ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier së bashku me ambasador të tjerë tha se vendet e QUINT-it nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.
“Me udhëzime të kryeqyteteve përfaqësues të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së u takuan sot me kryeministrin Kurti për ta informuar atë se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund të mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës në këtë moment”.
Por, kryeministri Kurti pas takimit nuk preferoi të flas.
Edhe pas një aktiviteti ditor asnjëri nga kabineti qeveritar përfshirë Kuritn nuk foli për qëndrimin e QUINT dhe NATO-s.
Ndërkohë, Qeveria përmes një komunikate tregoi se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet, pavarësisht se faktori ndërkombëtar është kundër.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatë.
Qeveria ka paraqitur para ambasadorëve edhe planin se si parasheh ta hapë urën.
‘’Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës’’.
Por, deputeti i partisë në pushtet, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli, tha se pavarësisht qëndrimit të ambasadorëve të vendeve të QUINT-it hapja e urës mbi lumin Ibër është kompetencë e institucioneve të Kosovës.
“Është në vlerësimin e tyre. Ura duhet të hapet sepse lidh të dy brigjet dhe qarkullimin e qytetarëve”, tha ai përtv21.
Bashkimi Evropian ka përsëritur se hapja eventuale e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve duhet të jetë çështje e bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Presidentja Vjosa Osmani e ka kundërshtuar kërkesën e BE-së që të diskutohet për hapjen e urës me Serbinë. Sipas presidentes një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutës së vendit./RTV21/21Media