Qytetarët e përjetuan rendë rritjen çmimeve të produkteve bazë në vitin 2025

Mos formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit krijoi pasoja për shtetin dhe qytetarët në Kosovë të cilët gjatë këtij viti u ballafaquan me telashe të shumta. Ndër hallet kryesore dhe më të theksuara në vitin 2025 për qytetarët ishin çmimet e larta të produkteve, veçanërisht të energjisë elektrike. Ndërkohë, mungesa e institucioneve të cilat do t’i adresonin telashet e qytetarëve, vetëm sa rriti shqetësimet e tyre.
“Po me një pagë 400 euro qysh me ja dalë, ishalla po lëvizë diçka 2026″, tha qytetari.
“Nuk është kan vit i lehtë…”, u shpreh një tjetër qytetar.
Sipas matjeve të fundit të Agjencisë së statistikave shkalla e inflacionit gjatë muajit nëntor arriti në 5.3%. Më së shumti u shtrenjtuan, energjia elektrike me 15.5%, produktet ushqimore me një mesatare prej 8.5%, mishi për 13.7%, pemët për 16.1%. Ndërsa rritje të çmimeve patën edhe produktet e qumështit dhe vezët të cilat në nëntor u shtrenjtuan për 10.5%. Sipas shënimeve statistikore: një kilogram mish mesatarisht shitet me 12 euro, kurse 30 kokra vezë mbi 5.5 euro. Ndërkohë, ekspert të ekonomisë ngrenë shqetësimin se Kosova aktualisht ka normwn më të lartë të inflacionit në Ballkan dhe Evropë. Derisa në Kosovë inflacioni arriti në mbi 5% shtetet e BE-së përfshirë Shqipërinë arritën të mbajnë një kosto të ulët të jetesës pasi shkalla e inflacionit në këto shtete ishte vetëm 2.2%. Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ngriti alarmin se shkalla e inflacionit në trendet aktuale do të vazhdoi të rritet edhe në vitin 2026.
“Ne po e shohim të gjithë sepse të gjithve po na prek, inflacioni ka mbërri mbi 5% por, çmimet e produkteve ushqimore kanë shku deri në 30% më shtrejtë dhe rreziku tjetër është që inflacioni do të vazhdojë të rritet edhe në vitin 2026…”, tha Mustafa për rtv21
Kosova për gjatë vitit 2025 u udhëhoq nga një qeveri në detyrë, e cila për çmimet e larta nëpër tregjet e Kosovës në vazhdimësi është arsyetuar me një ligj të kontestuar në Kushtetuese, ligjin për “çmimet tavan të produkteve”, dhe ka akuzuar të tjerët për këtë çështje, ndonëse ky ligj u kontestua në vitin 2023. Ndërkohë, qeveria në detyrë në vazhdimësi ka ndarë qindra miliona euro në formë subvencionesh për qytetarët. Qeveria ndau nga 100 euro për të gjithë studentët në Kosovë, shumë kjo e cila studentëve nuk është se iu kreu shumë punë.
“100 euro i ka nda po kurgjo hiç me këto çmime është ba jeta tepër e vështirë sidomos për neve studentëve…”, tha një student
Ndarja e mjeteve nga arka e shtetit në formën se si e ka bërë qeveria e udhëhequr nga LVV është cilësuar si e gabuar, nga njohës të çështjeve të ekonomisë. Sipas tyre, qindra miliona euro të shpërndara tek qytetarët, janë shfrytëzuar kryesisht në konsum i cili ka nxitur edhe më shumë rritjen e inflacionit në Kosovë. Profesori universitar i ekonomisë Muhamet Mustafa, përmend një formë tjetër e cila siç thotë do të iu dilte edhe më shumë në ndihmë qytetarëve.
“1 euro me të dale jashtë Kosovës është zvogëlim ekonomik. 26 milionë euro me i shpërnda tek studetët 50% e të cilëve jam i bindur që nuk kanë nevojë fare për ato 100 euro është gabim. Me 26 milionë euro mundesh me investu nëpër spitale me i mbushë të gjitha spitalet me pajisjet e munguara dhe në këtë formë iu kishe ndihmu të varfërve.”, tha Mustafa.
Ndryshe Kosova po shënon shkallën më të lartë të inflacionit që nga pandemia Kovid. Shkaktar kryesor i rritjes së inflacionit thuhet të jetë shtrenjtimi i vazhdueshëm i energjisë elektrike qoftë për bizneset qoftë për ekonomitë familjare. Ndërkohë, shqetësim tjetër është janë edhe paralajmërimet për një shtrenjtim rishtazi të energjisë elektrike në muajt e parë të vitit 2026 gjë që do të rëndojë edhe më shumë barrën e familjeve në Kosovë./RTV21/21Media