Kaloni te përmbajtja kryesore

Qytetarët mes dy zjarresh për faturën e mbeturinave

Në një luftë mes Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, mes dy zjarresh kanë mbetur qytetarët të cilët kanë probleme kur vjen çështja për të paguar faturën.

Prej kur ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet në muajin shkurt, banorëve të Prishtinës u ishin dhënë udhëzime kundërthënëse se kujt duhet t’ia paguajnë faturat për grumbullim të mbeturinave. Komuna e Prishtinës thotë se është adresa e vetme për të paguar faturat e mbeturinave.

”Duke marrë parasysh interesimin e qytetarëve dhe pyetjet e adresuara nga përfaqësues të mediave, Komuna e Prishtinës njofton opinionin publik se pagesa e faturave për shërbimet e pastrimit duhet të bëhet në Komunë. Qytetarët që kanë kryer pagesat në kompaninë “Pastrimi” mund të paraqesin dëshmitë përkatëse, dhe ato pagesa do të llogariten si të realizuara”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Një numër qytetarësh kanë zgjedhur komunën për të kryer pagesën, por sipas kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, faturat duhen paguar në kompani dhe ata që bëjnë të kundërtën do të përfundojnë tek përmbaruesi.

“…të gjitha pagesat duhet të bëhen në KRM Pastrimi dhe nuk përmëndet Komuna. Unë nuk e di mbi bazën e cfarë veprimesh ligjore janë bë pagesat në komunë…”, tha për RTV21 Petrit Reçica – Kompania “Pastrimi”.

Kompania “Pastrimi” është ndërmarrje publike lokale me rreth 900 punëtorë, e cila kryen shërbime për grumbullimin e mbeturinave për disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën. Ndërmarrjet publike të angazhuara për menaxhimin e mbeturinave nëpër Kosovë shpesh përballen me mungesë kapacitetesh si pasojë edhe e vështirësisë për inkasimin e borxheve nga qytetarët.

Punëtorë të këtyre ndërmarrjeve shpesh kanë protestuar, madje kanë mbajtur edhe greva në lidhje me kushtet e punës dhe pagat e ulëta./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button