Qytetarët serbë në veri kundër bllokimit të kufijve

Rrugët në pjesën serbe që çojnë drejt pikave kufitare, Merdarë, Jarinje dhe Bërnajkë, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes. Dy vetura, njëra me një flamur serb dhe disa persona u vendosën në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, në Merdarë. Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, ka thënë se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe. Thuhet se në pjesën serbe të kufirit në Merdarë, veturat me targa serbe mund të kalojnë pa telashe, ndërsa ato me targa të Kosovës po ndalohen dhe kontrollohen për të parë nëse kanë dokumente serbe. Por, kamionët janë duke u ndaluar pavarësisht se a kanë targa të Serbisë apo të Kosovës, sipas tij.
Nga qytetarë serb, të cilët po hynin me automjete nga Serbia kanë treguar se gjendja është e qetë dhe se nuk ka probleme.
“…Ka njerëz atje. A kini pasur probleme? Jo. A kini dokumente të Kosovës, apo…? I kam të Kosovës dhe të Serbisë. Çfarë ju kërkuan? Nuk kanë kërkuar kurrfarë dokumenti…Unë këtu i kam dhënë dokumentet këtu në vendkalim. Ka bllokadë, por unë kalova. Sa njerëz janë të mbledhur atje? Në fakt, nuk e di. Ka tabela të huaja të kamionëve, ka njerëz me transparente, unë kalova…”, ka thënë një qytetar me emrin Darko.
Një tjetër qytetar i komunitetit serb që po ashtu vinte nga Serbia, tregoi se vetëm një numër i vogël serbësh janë mbledhur në Rudnicë.
Qytetari serb: Ka pak njerëz të mbledhur në Rudnicë
“Si keni kaluar? Në mënyrë normale. A ka bllokadë atje? Ka në Rudnicë. A ka shumë njerëz? Jo, nuk ka. A ju kërkuan dokumente? Asgjë nga këto”, ka thënë një qytetar tjetër.
Kërcënimet e Serbisë për mbylljen e pikave kufitare me Kosovën, Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, i kanë cilësuar si dëshmi e synimeve hegjemoniste dhe veprime destabilizuese, për çka kanë kërkuar edhe reagimin e faktorit ndërkombëtar. Ndërkaq, Policia e Kosovës ka ndërmarr plan operativ për të mbikëqyrur situatën. Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se Polica ka ndërmarrë të gjitha masat për të mbajtur situatën nën kontroll në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, ku janë paralajmëruar bllokada nga ana e serbëve. Elshani ka thënë se nëse protestuesit tentojnë të hyjnë në Kosovë, policia është e gatshme për intervenim./RTV21/21Media