Qytetarët të shqetësuar – “Do të ketë sulme të tjera nga Serbia”

Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se Kosova nuk e ka zbatuar ligjin për mbrojtjen e infrastrukturës kritike të miratuar që më 2018, që do të mund të parandalonte pasojat e një sulmi në Kanalin e Ibër Lepencit. Ata fajësuan mekanizmat e sigurisë për neglizhencë. Ndërkohë, pas sulmit terrorist mbi kanalin e Ibër-Lepencit, qytetarët kanë shprehur shqetësimin dhe frikën se sulmet nga Serbia në Kosovë nuk do të ndalen.

Sulmi i 29 nëntorit mbi kanalin e lumit Ibër-Lepenc, ka ngjallur shqetësim tek qytetarët. Edhe pse për një numër prej tyre është e paqartë se çfarë ka ndodhur, ata thanë se presin edhe sulme të tjera nga Serbia.

“Patjetër që do të ketë, gjithmonë do të ketë sulme nga Serbia përderisa është Vuçiq mendoj që do të ketë sulme të tjera”, tha një qytetar.

“Për mu është mjegull krejt çka ka ndodhë, po mendoj që kjo situatë me sulme do të vazhdoj gjatë sepse edhe këtu dikujt po i konvenon kjo mjegull”, tha një qytetar tjetër për rtv21.

“Shumë keq që ka ndodhë mendoj që do të ketë edhe sulme të tjera”, u shpreh një qytetar.

Një shpërthim i fuqishëm dëmtoir kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fund të javës së kaluar, por përveç dëmeve nuk pati pasoja në njerëz. Qeveria e cilësoi sulmin si terrorist dhe më të rëndin që nga koha e luftës.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, duke folur për mbrojtjejn e infrastrukturës jetike në Kosovë tha se prej vitsh është neglizhuar një ligj i posaçëm për këtë çështje. Ligji do të duhej të zbatohej nga Ministria e brendshme.

“Të mos kërkojmë një fajtor sepse sulmet terroriste ndodhin edhe në shtete më të fuqishme por të adresojmë kritika tek ministria e Brendshme pse nuk janë krijuar mekanizma të mjaftueshëm për ta zbatuar ligjin për ruajtjen e infrastrukturës kritike”, tha Vrajolli për rtv21.

Qëllimi i ligjit për infrastrukturën kritike është që të ruaj dhe të mbrojë asetet kryesore për funksionimin e shtetit. Ministria e brendshme deri më tani nuk është përgjigjur për RTV21, se sa zbatohet ky ligj në Kosovë dhe nëse i njëjti është marr parasysh në rastin e fundit në Zubin Potok.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, thotë se sulmi mbi kanalin Ibër-Lepenc, konfirmoi se institucionet e sigurisë në Kosovë nuk kanë një mekanizëm të veçantë për ruajtjen e aseteve shtetërore.

“Ne kujtojmë një rast kur grupi terrorist ISIS në Kosovë ka tentuar të helmoj liqenin e Badovcit, pra kjo do duhej të ishte shembull që këto asete të ruhen qoftë me kamera qoftë me prezencë fizike”, tha Elezi.

Infrastruktura kritike e një shteti, vlerësohet të jetë energjia, transporti, sistemi bankar, tregjet financiare, ujërat, rrjetet digjitale, prodhimtaria. Dy ditë përpara sulmit mbi kanalin Ibër-Lepenc, qeveria ka dërguar në Kuvendin e Kosovës për miratim ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e infrastrukturës jetike duke propozuar krijimin e vetën një sektori përgjegjës. Pak orë përpara sulmit në Ibër Lepenc, Policia e Kosovës mori vendim që të shtojë masat e sigurisë në gjithë territorin e Kosovës, por nuk dha holëlsi nëse ato do të përfshinin edhe ruajtjen e infrastrukturës kritike./RTV21/21Media

Back to top button