Qytetari që i kërkoi Fitore Pacollit t’ia paguajë faturën, bën kallëzim penal ndaj saj

Agim Plashniku, qytetari që u konfrontua gjatë ditës së djeshme me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli, ka bërë kallëzim penal ndaj saj.
Në dokumentin e siguruar nga RTV21, thuhet se kallëzimi penal është bërë për shkak se, “më datën 25 qershor, 2025, pranë një kafeterie te Komuna e Prishtinës, këtu Fitore Pacolli dhe asistenti i saj sulmojnë fizikisht qytetarin këtu palën e dëmtuar Agim Plashniku, ku ngjarja ka rrjedhur në momentin kur Agim Plashniku pasi që i afrohet deputetes Fitore Pacolli në mënyrë të qetë dhe të kulturuar (video-incizimi), qytetari Agim Plashniku në gjet simbolik për të shprehur indinjatën me rrethanat politike të vendit dhe korrupsionin e madh që po mbretëron në vend, i afrohet deputetes dhe i thotë ‘a po ma paguan edhe mua faturën’”.
“Pra, ky gjest simbolik drejtuar deputetes Fitore Pacolli ishte për faktin se ajo ishte e përfshirë në një skandal të korrupsionit e që skandali ishte publikuar në çdo portal dhe gjithë qytetarët janë njoftuar për këtë skandal, dhe në atë moment, Fitore Pacolli ngrihet në këmbë, i afrohet qytetarit Agim Plashniku dhe e kap për dore, duke ngritur zërin dhe piskamën se unë ty nuk të tutem dhe më pas, qytetarit Agim Plashiniku i afrohet edhe asistenti i Fitore Pacollit i cili e shtyn fizikisht qytetarin duke pasur kontakt fizik, pra janë incizimet, provat materiale dhe dëshmitarët e rastit këtu si personeli i Avokatit të Popullit, vetë Naim Qelaj, i cili ka qenë dëshmitar okular i rastit që do ta dëshmojë situatën e sulmit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal.
“Kësodore, me veprimet e tilla dhe me dashje direkte, Fitore Pacolli dhe asistenti i saj ka kryer veprën penale të ‘Sulmit’, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Kosovës”, theksohet më tej në arsyetimin e kallëzimit penal.
Qytetari Agim Plashniku ndërmori dje një aksion simbolik protestues ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, gjatë qëndrimit të saj në një kafene në Prishtinë.
Plashniku i dorëzoi deputetes një kupon fiskal nga i njëjti lokal, duke i kërkuar që t’ia paguajë atë, ndërsa e akuzoi për përvetësim të parave publike, duke e quajtur “hajne” dhe duke iu referuar “milionave të vjedhura”.
“Përshëndetje deputete! Si je? Paguma këtë faturë. A të kujtohet kur thoshe ‘hajna’, pse nuk i fusni në burg?”, tha Plashniku, duke vazhduar me akuza ndaj deputetes dhe bashkëpartiakëve të saj.
“Ti paguaje, e ju çka jeni? I keni vjedhur milionat, marre, marre këtë shtet po e vjedhni. Ti je ‘hajduke’, me Albinin, hajne, hajne”, u shpreh Plashniku.


Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?