Rajkoviq dhe Deniq dënohen me nga 15 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë

Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq janë dënuar me nga 15 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë. Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë të dy për këtë krim lufte. Si pjesëtarë të forcave policore serbe gjatë luftës në Kosovë, ata e kanë dhunuar seksualisht një grua në Prishtinë.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri ka shpallur aktgjykimin e parë në mungesë për dhunim seksual gjatë luftës.
Përveç për dhunim seksual, në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, të njëjtit kanë kryer edhe krime të tjera te luftës, si maltretime, plaçkitje, tortura, por që nuk jnë përfshirë në këtë aktakuzë.
E mbijetuara e këtij krimi u dhunua para syve të burrit të saj, i cili ka qenë dëshmitari kryesor i rastit, dhe dëshmia e tij ka qenë kryesore në gjykatë. Viktimën e kanë dhunuar gjashtë persona, por ajo ka arritur t’i identifikojë vetëm dy prej tyre.
Ky është rasti i katërt që ka përfunduar gjykimi, i raportuar dhe përfaqësuar nga Qendra Kosovare e Rehabilitimin të të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Gjykimi është zhvilluar në mungesë, në pamundësi që të njëjtit të arrestohen.
Deri më tani janë shpallur tri aktgjykime për dhunim seksual. Zoran Vukotiq është i dënuar me 13 vjet burgim, në rastin tjetër Vukotiq është liruar, dhe rasti Zhivojin Nesiq “Zhika” u dënua me 15 vjet.