Rama beson se PD do të hyjë në zgjedhje

Rama ka theksuar se ‘Lulëzim Basha ka bërë një dëm të madh dhe kjo është e vetmja arsye që ma bën bindjen të paplotë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shprehur besimin se Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.

Përmes Facebook-ut, Rama ka theksuar se ‘Lulëzim Basha ka bërë një dëm të madh dhe kjo është e vetmja arsye që ma bën bindjen të paplotë’.

“Mbrëmë kemi regjistruar skuadrën e re përfaqësuese të Partisë Socialiste. Jemi plotësisht gati të nisim finalen e madhe të këtij mandati dhe hapim një kapitull të ri për Shqipërinë që duam. Me forca të ripërtërira. Me më shumë eksperiencë. Më shumë gjak të ri. Me vendosmëri ende më të madhe se katër vjet më parë. Por ndryshe nga katër vjet më parë, kemi përballë jo një qeveri të diskredituar, po një opozitë të konsumuar. Të njëjtët njerëz që e çuan Shqipërinë në rrugën e rrënimit, po e çojnë Partinë Demokratike në rrugën e asgjesimit” ka shkruar Rama.

Rama  vazhdon ta ketë thuajse bindje se Partia Demokratike do të ndalet mu në buzë të humnerës dhe do të kthehet për të hyrë në zgjedhje. Ai tha se kudo ku ka marrë një gjë në dorë, Lulëzim Basha ka bërë një dëm të madh dhe kjo sipas tij është e vetmja arsye që ja bën bindjen të paplotë.

“Sot do të doja ta shpjegoj a këtë gjatë Komunikimit Javor, por vendosa të mos e bëj. Dua ta lë Lulëzim Bashën të qetë në këto 48 orë të fundit, të cilat vendosin nëse Partia Demokratike do të marrë kthesën e shpëtimit apo do të tretet në humnerën e vetëshkatërrimit. Mbetem natyrisht i gatshëm ta pres kryetarin e PD-së në çdo moment, për të negociuar rikthimin e partisë së tij në fushën e betejës demokratike të 18 qershorit. Përndryshe Partia Demokratike kështu siç e njohim, do të jetë më shpejt se vonë një kujtim i së kaluarës.”ka përfunduar Rama./21Media

Back to top button