Rama: Bllokimi i buxhetit nga niveli qendror ka prapavijë të qartë politike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar sërish nivelin qendror për bllokadë të buxhetit, duke thënë se punëtorët e ndërmarrjes “Gjelbër” prej kohësh po përballen me vonesa në marrjen e pagave të tyre.

Ai ka thënë se kjo bllokadë, e cila po dëmton jo vetëm punëtorët por edhe shërbimet publike jetike të kryeqytetit, është e pajustifikueshme, e paligjshme dhe me prapavijë të qartë politike.

Për këtë arsye, thotë se ka iniciuar padi ndaj Ministrit Murati dhe tre zyrtarëve përgjegjës për këtë pengesë të qëllimshme.

“Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë punëtorët për durimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, të cilët përkundër sfidave ekonomike dhe presioneve kanë vazhduar të kryejnë punën me dinjitet, duke mos e ndalur asnjë ditë shërbimin ndaj qytetarëve tanë. Ky është shembulli më i pastër i përgjegjësisë dhe integritetit punëtor. Ju siguroj se jam në krahun tuaj dhe do të vazhdoj me vendosmëri çdo rrugë ligjore e institucionale deri në zhbllokimin e mjeteve të ndërmarrjes deri në shpërblimin e drejtë të çdo punëtori me pagën që e ka fituar me punë. E drejta do të triumfojë, padrejtësia nuk do të tolerohet”, ka shkruar ai në Facebook.

Back to top button