Rama: Fondi prej 1 milion lekësh për çdo familje do të aktivizohet sot

“Mos harroni se janë edhe dy familje në Kosovë që duhet kontaktuar dhe duhet marrë këtë fond”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se sot mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit për të filluar procesin e harmonizimit të përpjekjeve në mënyrë që kontributet e mbledhura të shtohen në mënyrë që procesi i planifikimit të harmonizohet.

Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë, tha se nevoja për të krijuar një bazë solide për financimin e gjithë operacionit të rindërtimit është e madhe dhe domosdoshmëria për të garantuar që të gjitha familjet të targëtohet sipas nevojës.

Ai tha se fondi prej 1 milion lekësh të reja për çdo familje të viktimave do të aktivizohet sot.

“Fondi prej 1 milion lekësh te reja do të aktivizohet sot. Mos harroni se janë edhe dy familje në Kosovë që duhet kontaktuar dhe duhet marrë këtë fond. Fëmijët do marrin bursën prej 15 mijë lekësh që do ta kenë deri në fund të shkollës së tyre”, tha ai.

Rama tha se një dobësi që e ka vërejtur në Ministrinë e Punëve të Brendshme është reagimi kundër luftës kibernetike dhe lajmeve të rreme dhe mashtruesve.

Ai  shtoi se është e domosdoshme të kërkohen rrugët për t’u fokusuar në aspektin psikologjik, duke sjellë qetësi dhe siguri.

“Është një betejë e madhe, qarjet në godina, janë po njësoj në mendjen e njerëzve. Janë trauma që do të duhen vëmendje të madhe, pasi ata nuk janë turistë aty por janë pacientë”, tha ai.

Tërmeti i ditës së martë me magnitudë 6.4 ballë mori jetën e 51 personave. Në mesin e viktimave ishin edhe dy vëllezërit nga fshati Livoç i Gjilanit.

Kujtojmë se në prill të vitit 1979, një tërmet me magnitudë 6.9 ka goditur Shqipërinë dhe shtetin fqinj, Malin e Zi, duke lënë 136 persona të vdekur dhe më shumë se 1 mijë të lënduar.

Back to top button