Rama: Hyrja në “Fan Zone” është falas, po tentohet të më dëmtohet imazhi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pasi asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV), në Prishtinë, Arianit Beqiri, u arrestua pasi, siç tha ai, protestoi kundër pagesës për të parë ndeshjen e Kombëtares.
Rama ka thënë se hyrja në Fan Zone ka qenë falas dhe se akuzat për një hyrje me pagesë janë të pasakta.
“Për të mundësuar përjetimin e lojërave të Kampionatit Evropian në Kryeqytet, Komuna e Prishtinës në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi dhe në interes të qytetarëve të kryeqytetit ka dhënë miratimin që kjo të bëhet në Fan Zone në sheshin “Xhorxh Bush”. Konfirmojmë se hyrja në Fan Zone ka qenë falas, sipas deklaratave zyrtare të organizatorit”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Tutje, Rama ka shtuar se akuzat për një hyrje me pagesë janë të pasakta dhe paraqesin një përpjekje për dezinformim të qëllimshëm të opinionit publik.
“Akuzat për një hyrje me pagesë janë të pasakta dhe paraqesin një përpjekje për dezinformim të qëllimshëm të opinionit publik, me synimin e qartë për të dëmtuar imazhin e strukturave përgjegjëse dhe gjithë institucionin publik, përfshirë mua. Prandaj, apelojmë për një trajtim të përgjegjshëm të informacionit dhe kultivimin e një mjedisi të shëndoshë komunikimi, të bazuar në fakte dhe transparencë. Dezinformimi nuk është në interes të qytetarëve”, ka përfunduar Rama./21Media