Rama: Këto ditë, do t’ua shtrijmë dorën të gjithë qytetarëve të Prishtinës

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Perparim Rama pas rezultateve të KQZ-së me ç’rast shkoi në balotazh me Arben Vitinë nga VV-ja falënderoi të gjithë për mbeshtetjen.
Rama është shprehur i bindur se besimi dhe që ia kanë dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 Nëntor.
“Ndjehem thellësisht mirënjohës për votën e secilit prej jush që më dha mbështetje për të shkuar në raundin e dytë. Jam i bindur se gjithë ky besim dhe dashuni që më keni dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 Nëntor. Unë besoj se gjërat nuk ndodhin rastësisht. Prandaj, nuk po më duket rastësi pse pikërisht në këtë moment, kaq shumë bashkëqytetarë po besojnë se Prishtinës i duhet përvoja, njohuria dhe gatishmëria ime për t’i bërë realitet planet tona konkrete për një Prishtinë më të dinjitetshme për të gjithë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai tutje ka shtuar se “Prishtinës i duhet me marrë frymë e me u shëru prej kaosit urban. E unë, do t’i përvishem punës me e bë pikërisht këtë”.
Rama ka treguar se në javët e ardhshme banorëve të Prishtinë do tu tregojë se sa i rëndësishëm dhe jetik është për qytetin dhe fshatrat vizioni i tij për transformimin rrënjësor të Prishtinës.
“Këto ditë, do t’ua shtrijmë dorën të gjithë qytetarëve të Prishtinës pa dallim, sepse kjo fitore është për të gjithë ju, përtej bindjeve tuaja partiake.Unë ju ftoj që t’i bashkoheni rrugëtimit tonë të fitores”, ka shkruar Rama./21Media

Back to top button