Rama me paralajmërim për tregtarët që shesin produkte bulmeti pa faturë

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi këtë të premte të gjithë tregtarët që shesin produkte bulmeti pa faturë.

Ai tha se duke nisur nga e hëna që vjen do të sekuestrohet çdo shishe qumështi dhe çdo produkt bulmeti që tregtohet pa faturë.

Rama shtoi se përveç se është e patolerueshme në pikëpamje të ligjit tatimor, është edhe shumë e rrezikshme me këto temperatura dhe mund të shkaktojnë helmime.

“Përpara se ta mbyllim këtë maratone, dua të sjell në vëmendje dhe faktin se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është angazhuar për të sensibilizuar të gjithë ata që tregtojnë qumësht dhe bulmet pa faturë që të mos e bëjnë më këtë gjë, sepse duke filluar nga java e ardhshme do të konfiskohet çdo lloj shisheje qumështi pa faturë dhe çdo lloj bulmeti pa faturë. Është përveç se e patolerueshme në pikëpamje të ligjit tatimor, është edhe shumë e rrezikshme në këtë fazë të vitit me këto temperature që mund të shkaktojnë larg qoftë helmime që janë plotësisht të evitueshme. Nga e hëna e ardhshme nuk ka më paralajmërime por vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti pa faturë në çdo dyqan etj etj”, tha Rama. /vizionplus.tv

Back to top button