Shembja e rrugës në Prishtinë, Rama pezullon dy inspektorë dhe një zyrtar përgjegjës

Pas shembjes së dheu në rrugë “Don Shtjefën Kurti”, kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se janë pezulluar nga puna dy inspektorët e zonës dhe zyrtari përgjegjës.
Ai ka njoftuar se inspektorët Lorik Zhubi, inspektorja Drenusha Bedra Uka dhe Elion Ademi janë zyrtarët e pezulluar.
“Pas ngjarjes së djeshme në punishten ndërtimore në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, kam ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve komunal. Janë pezulluar nga puna dy inspektorët e zonës ku ka ndodhur rasti, si dhe zyrtarin përgjegjës për lëndën.”, ka njoftuar Rama.
Ai ka theksuar se punishtet ndërtimore duhet t’i nënshtrohen inspektimit të rreptë dhe të vazhdueshëm nga Inspektorati komunal, në mënyrë që të garantohet siguria e punëtorëve, qytetarëve dhe cilësia e punimeve sipas projektit të pranuar.
Sipas tij, çdo neglizhencë në këtë drejtim është e patolerushme.
“Përveç procedurave që do të zhvillohen nga Komisioni Disiplinor i Kryeqytetit, jemi të hapur për bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në kuadër të hetimit të nisur për këtë rast, të cilin e kam kërkuar menjëherë dje dhe e mirëpres fillimin e tyre.”, tha Rama.
Po ashtu ai tha se edhe kompanitë private të ndërtimit duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për respektimin e standardeve të sigurisë dhe kushteve të punës.
“Çdo shkelje nga ana e tyre duhet të përballet me masa të rënda ligjore. Zero tolerancë ndaj askujt.”, ka shkruar Rama.