Rama: Merrni përsipër riparimet ose do të shkoni në burg!

Apeli i fundit për ndërtuesit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përsëriti edhe njëherë apelin për ndërtuesit e pallateve, apartamentet e të cilave kanë pësuar dëme të lehta jo strukturore që të paraqiten për të bërë deklarimin dhe të marrin përsipër të gjithë riparimin dhe dëmet materiale që u janë shkaktuar njerëzve.

Shefi i qeverisë insistoi që këtë procedurë ta kryejnë sa më shpejt, pasi çdo ditë që kalon i afron ata më afër burgut.

Paralajmërimin Rama e bëri në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë mëngjesin e sotëm.

“Jemi duke punuar dhe besojmë se do ta konkludojmë shpejt dhe kuadrin e ri ligjor dhe penal për abuzimet në ndërtim. Njësia speciale kundër korrupsionit ka filluar të përgatisë gjithë hartën e veprimeve për të identifikuar përgjegjësi në godinat problematike. Dua të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe sot hyjnë te godinat e dëmtuara por jo të rrezikshme që të paraqiten vetë urgjentisht në zyrën përkatëse të drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën apo zyrën e shtabit të emergjencës në Durrës dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar një më një vetë godinat, të gjitha riparimet nga ato sipërfaqësore deri te dëmet materiale që i janë shkaktuar njerëzve”, tha Rama.

Sipas Ramaës kush do t’i shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtëpërdrejtë përpara organeve të drejtësisë.

“Është e vërteta e sigurt që ndërtimet e reja të bëra që nga mesi i viteve ’90 dhe pas, 99% e tyre kanë qëndruar më së miri. Pjesa tjetër, shumë e vogël, në 99% të rasteve është abuzivizëm nga individë dhe jo kompani që kanë ndërtuar shto ujë dhe shto miell dhe në një për qindje të vogël nga kompani që kanë abuzuar me vetë lejen”, ka shtuar ai.

I pari i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama tha se i ka kërkuar drejtuesit të plotfuqëishëm për emergjencën dhe një raport i cili do të përgatitet me pushtetin vendor për katet e shtuara mbi leje.“Janë një sërë katesh të shtuara mbi lejen që duhet të regjistrohen dhe për të cilat duhet të ndërmarrim një nismë të veçantë më pas”, u shpreh ai.

Numri i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit ka shkuar në 52, ndërsa mbi 900 mbetën të plagosur dhe shumë të pastrehë./21Media

Back to top button