Rama ndan pamje nga samiti i ”Ballkanit të hapur”
Sonte në Ohër ka filluar mbajtja e samitit të ”Ballkanit të hapur”, ku kryeministri, Dimitar Kovaçesvski në vilën e presidencës fillimisht kanë darkuar me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç si dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas agjendës, për nesër janë paraparë fjalime zyrtare në samit, përveç kryeministrave dhe ministrave të rajonit me video fjalime do të paraqiten edhe eurokomisari për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varheji dhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit dhe i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në këtë samit nuk do të marrë pjesë Kosova, e cila thotë se “Ballkani i Hapur” është iniciativë e Serbisë, për të promovuar interesat ruse dhe kineze.
Ndërkaq, Rama ka postuar një fotografi në ”Facebook”, ku shihen krerët e shteteve të lartëcekura.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “Ballkani i Hapur” garanton liritë jetike për zgjidhjen e konflikteve në kontinentin tonë.
“Ballkani i Hapur është në funksion të ecjes sa më shpejtë drejtë realizimit të lëvizjes së lirë të të njerëzve të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve dhe jetësimit sa më të shpejtë në këtë rajon të katër lirive të BE-së”– deklaroi Rama.
Në fund të samitit është paraparë të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor për njohje reciproke të diplomave dhe notave shkencore të dhëna në institucione të arsimit të lartë dhe institucione tjera të autorizuara dhe memorandume për mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administratës tatimore.
Iniciativa “Ballkani i Hapur” parashikon lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis vendeve-anëtare.
“Ballkani i Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk ka arritur të zgjerohej, shkruan TV21./21Media