Rama në prag të vizitës së Blinkenit në Shqipëri: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, çelës strategjik për sigurinë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vizita e paralajmëruar e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë ka një vlerë të veçantë për Shqipërinë.

Ai në një postim në “Facebook” tha gjithashtu se Blinken do të gjejë në Shqipëri një vend të përkushtuar të NATO-s, një anëtar të gatshëm të Aleancës Euro-Atlantike për të vazhduar investimet e gjithanshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të vizitojë Tiranën më 16 shkurt.

Sipas njoftimit të DASH, Blinken do të vizitojë Shqipërinë, “një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Kjo vizitë ka për synim që të konfirmojë lidhjet e Uashingtonit me Tiranën.

“Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Munih, Gjermani, nga 14-17 shkurt. Në Tiranë, sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës,” njofton DASH.

Postimi i plotë:

Ardhja e një sekretari të Shtetit në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin tonë, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë. E teksa përgatitemi për t’i uruar mirëseardhjen mikut të çmuar, dua të rinënvizoj angazhimin e plotë të Shqipërisë në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithëve në rajon dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e BE-së e të SHBA-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqenien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Evropës, ku e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje, duhet t’ia lerë njëherë e mirë vendin të ardhmes së mbushur me mundësi, partneritete e zhvillim.

Ai do të gjejë një vend të përkushtuar të NATO-s, një anëtar të gatshëm të Aleancës Euro-Atlantike për të vazhduar investimet e gjithanshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Shqipëria është vijimësisht gati të angazhojë trupa dhe burime të reja, në kuadrin e angazhimit kolektiv të të gjitha vendeve anëtare për fuqizimin e NATO-s, në mbrojtje të vlerave të patjetërsueshme që mishërojnë vetë arsyen ekzistenciale të komunitetit tonë demokratik. Vendi ynë është në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit e në kundërvënien ndaj çdo shëmbëlltyre të totalitarizmit dhe sekretari i Shtetit do ta gjejë Shqipërinë të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj.

Sekretari Blinken do të gjejë një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor, e posaçërisht në këtë kohë një Shqipëri falënderuese për partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë, ku qeveria që unë kam privilegjin të udhëheq mbetet vendosmërisht garante e pavarësisë së drejtësisë së re, në përpjekjen e madhe për zhbërjen e kulturës së vjetër të pandëshkueshmërisë. Rilindja e besimit të publikut tek drejtësia, falë disa goditjeve kuptimplota antikorrupsion në nivelet më të larta, është një arritje e parë kuptimplotë në rrugën e re të shtetbërjes demokratike, ku vendosja e sundimit të barabartë të ligjit përbën kushtin themelor të ndarjes epokale me të shkuarën njëqind e kusur vjeçare të pabarazisë para ligjit në këtë vend. Për të vazhduar me sukses në këtë rrugë tejet sfiduese, asistenca e pandërprerë e Shteteve të Bashkuara në rritjen e forcimin e kapaciteteve tona është pa dyshim, një ndër kushtet e patjetërsueshme të kësaj faze vendimtare për konsolidimin pa kthim të shtetit të së drejtës dhe për rifitimin e aq shumë kohe të humbur në të kaluarën e afërt, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sekretari i Shtetit do të gjejë një Shqipëri në punë, me rritje të vazhdueshme ekonomike e me vullnet të prekshëm transformues në sektorin publik dhe atë privat, por edhe me vetëdijen e plotë të boshllëqeve e të mangësive ende të shumta, të cilat duhen adresuar përmes thellimit të reformave që garantojnë mirëqeverisjen në çdo nivel, fuqizojnë komunitetet vendore, promovojnë barazinë gjinore, stimulojnë grupet e interesit, përshpejtojnë modernizimin, sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Prandaj sekretari Blinken do të gjejë në Shqipëri edhe ftesën tonë që ai dhe pala amerikane në tërësi, t’i inkurajojnë kompanitë e vendit mik të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, e po ashtu t’i nxisin edhe bashkëqytetarët e tyre të vizitojnë Shqipërinë turistike, e cila tanimë është ngjitur me plot meritë në ligën kryesore të turizmit mesdhetar.

Back to top button