Rama: Nxitja e agroturizmit, instrument për zhvillimin ekonomik

Rama garantoi se do të vazhdojnë ta transformojnë rrënjësisht bashkinë e re të Himarës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në mbyllje të fushatës elektorale në Himarë, se në 4 vitet e ardhshme, PS-ja do të punojë që potencialin e jashtëzakonshëm që ka kjo zonë bregdetare, ta kthejnë në një instrument zhvillimi ekonomik e social, duke nxitur agrobiznesin dhe agroturizmin.

Rama garantoi se do të vazhdojnë ta transformojnë rrënjësisht bashkinë e re të Himarës.

“Kjo vijë bregdetare sot është një shëmbëlltyrë e një vije bregdetare të një qyteti evropian mesdhetar, të një vendi tërheqës për turistët. Ju siguroj se 4 vitet e ardhshme, Rilindja Urbane, që ka nisur në zemër të Himarës do të shtrihet në çdo pjesë të saj dhe Himara vetë do të jetë e lidhur edhe më shumë me pjesën brenda territorit të saj historik, që falë reformës administrative territoriale ne e konsoliduam”, tha Rama.

Zhvillimi i agrobiznesit dhe agroturizmit, për Ramën, do të jetë po ashtu një transformim shumë i rëndësishëm ekonomik për jetën e banorëve që jetojnë në zonat më të thella të bashkive të reja.

“Ne kemi një mundësi të madhe ende të pashfrytëzuar. Kemi filluar transformimet e Rilindjes Urbane në Dhërmi, në Vuno, në Jalë dhe do të vazhdojmë në të gjitha pikat e banuara nga Llogaraja deri në Sarandë, siç bëmë edhe me Qeparoin dhe Borshin”, tha Rama.

Back to top button