Rama: Për një javë në tunelin e Llogarasë kanë kaluar rreth 70 mijë automjete

Kryeministri I Shqipërisë Edi Rama ka treguar se që nga dita e parë e hapjes, 5 korrik, e deri më sot rreth 70 mijë automjete kanë kaluar në tunelin e Llogarasë.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Edi Rama ka shkruar se në masë të madhe kjo rrugë po shkurton distancat dhe po lehtëson fluksin e sezonit turistik.
“Sipas të dhënave nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në total që nga dita e hapjes së tunelit e deri më sot janë regjistruar afro 70 mijë automjete që kanë kaluar nga Tuneli i Llogarasë, duke dëshmuar dukshëm për frekuentimin në masë të kësaj rruge te re që po shkurton distancat dhe lehtëson fluksin e sezonit turistik”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.
Sipas kreut të Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama Policia e Shtetit dhe Shërbimi Zjarrfikës janë angazhuar për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin normal të automjeteve që zgjedhin të kalojnë nga Tuneli i Llogarasë.
“Policia e Shtetit dhe Shërbimi Zjarrfikës janë angazhuar për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin normal të automjeteve që zgjedhin të kalojnë nga Tuneli i Llogarasë, ku të gjithë drejtuesit e mjeteve duhet të kufizojnë detyrimisht shpejtësinë dhe të zbatojnë urdhërat e udhëzimet përkatëse për të shmangur çdo lloj incidenti. Tuneli monitorohet 24/7 edhe nga njësia e lëvizshme e Trupës së Ndërhyrjes Teknike (Policia, Zjarrfikësja, Urgjenca)”, ka thënë Edi Rama.