Rama: Procesi i ndërtimit të xhamisë i stërzgjatur, por në binarët e duhur

Komuna e Prishtinës i është përgjigjur pozitivisht Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për kërkesën e saj drejtuar institucionit lokal për leje-ndërtim të Xhamisë Qendrore në Prishtinë.
Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës sot ka marrë vendimin për leje ndërtimi për Xhaminë qendrore në kryeqytet.
Me këtë rast, i pari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se procesi i ndërtimit të Xhamisë, më në fund është në binarët e duhur.
Sipas Ramës, ky ishte një proces me procedurë të stërzgjatur.
“Procesin e ndërtimit të ‘Xhamisë’ më në fund e kemi vënë në binarët e duhur! Ky proces u shoqërua me procedura të stërzgjatura, me pajisjen e BIK-ut me kushtet ndërtimore në vitin 2017, të cilat u plotësuan me ndryshime më vonë në vitin 2020, kur edhe u pajisën me lejen për sigurimin e gropës së gërmimit.  Qytetarët e lagjeve ‘Dardania’ e ‘Ulpiana’ duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Andaj, jemi të lumtur që më në fund, këtë proces sot e përmbyllëm me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e këtij objekti fetar!”, u shpreh Rama në Facebook./21Media

Back to top button