Rama tregon rastet kur FSK-ja operoi në veri: Është obligim ligjor e human

Njësitë e specializuara për kërkim-shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë operacion për gjetjen e një personi që dyshohet të jetë mbytur të dielën, më 27 korrik, në Liqenin e Ujmanit. Bëhet fjalë për një 33 vjeçar që u raportua se kërceu nga ura.
Kërkimi deri më tash është zhvilluar vetëm nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. FSK-ja iu bashkua ekipeve në ditën e tretë të kërkimeve. Kjo u bë vetëm pas një bashkërendimi me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Dislokimi i trupave të FSK-së në veriun e banuar me shumicë serbe mund të bëhet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it, në bazë të një zotimi që është bërë në vitin 2013 nga Qeveria e Kosovës dhe NATO.
Ujmani ndodhet në Zubin Potok – një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Por, ish-komandanti i Forcës, Rrahman Rama kujton se kjo nuk është hera e parë që trupat e FSK-së shkelin në veriun e vendit për të kryer një operacion. Në një deklaratë për kp, Rama përmend tri raste të tilla – në kohën sa ai mbante uniformën ushtarake.
“Kemi qenë në 2014-ën në korrik, dhe në 2016-ën në pjesën në lumin Ibër të Zveçanit, dhe në deminim kemi qenë 2019-ën bashkërisht me KFOR-in… Kanë qenë operacione të kërkim-shpëtimit, operacioni i parë 2014-ën nëse ju kujtohet dy barka patën bërë ndeshje në liqe, rreth 4 serbë të rinj janë mbytur aty, më 15 korrik ka fillu, deri më 18 korrik kemi bërë kërkim shpëtim në liqenin e Ujmanit, e kemi pastaj 2016-ën, bashkërisht me KFOR-in, në lumin Ibër ku kemi gjetur një trup pajetë të një serbi, në komunën e Zveçanit”, thotë Rama.
Rrahman Rama thekson se FSK-ja e ka obligim ligjor e human të zhvillojë operacione të tilla, derisa përmend se Forca i ka njësitë e specializuara për kërkim-shpëtim, ndër më të mirat në rajon.
“Kjo është e zakonshme dhe patjetër që FSK-ja është në shërbim të qytetarëve, është obligim ligjor dhe moral”, thotë ai.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se më herët të martën se pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile në këtë rast.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes’, shkroi Maqedonci në Facebook.
Megjithatë, në vitin 2013 Kosova ishte angazhuar, përmes një letre nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, drejtuar NATO-s, që FSK-ja dislokohet në veri vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it.
“Ekziston një marrëveshje, e dimë të gjithë, mund të bëjmë politikë gjithë ditën, e dijmë edhe misioni ne KFOR-it, ekziston një marrëveshje, në bashkëkordinim, është normale, edhe ata janë në shërbim të qytetarëve këtu, pa dallim”, thotë ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.
Forca e Sigurisë së Kosovës është duke e zhvilluar transformimin në ushtri, proces ky që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.