​Rama: Zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroaltlantike, mundësia e artë e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se tre punonjësit e Policisë së Kosovës duhet të kthehen në shtëpi pasi nuk kanë bërë asnjë krim. Sipas Ramës, zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroaltlantike është mundësia historike në tryezë, për të hapur një kapitull të ri dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht, edhe nga Serbia.

Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban tha se është imediate nevoja që të tre punonjësit e Policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi.

“Qysh nga sekonda e parë e daljes së lajmit, ne jemi angazhuar nga të katër anët, nga të gjitha kanalet e mundshme për lirimin një orë e më parë të 3 punonjësve të policisë. Debati mbi shkeljen apo mos shkeljen e të cilëve është i rëndësishëm në nivelin politik, në nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por nuk ka asnjë rëndësi për 3 burra që janë larg sot shtëpisë së tyre dhe që do të kthehen menjëherë, pastaj debati ishin këtej apo ishin andej dhe konkluzionet përkatëse për të mund të vazhdojnë. Ajo që është me rëndësi është që ata nuk mund të mbahen për shkelje kufiri në Serbi. Duhet të kthehen në shtëpitë e tyre se s’kanë bërë asnjë krim edhe sikur ta pre supozojmë që janë kapur disa qindra metra në anën tjetër apo në këtë anë, njëra pale thotë kështu, njëra palë ashtu, pala e tretë që merret me këtë punë thotë edhe kështu edhe ashtu, nuk ka asnjë vlerë kjo në raport me ata. Shkelje kufiri do të thotë kthehu prapa. Kaq! Mbajtja e tyre është e pajustifikueshme nëse vazhdon përtej ditës së sotme. Është e pajustifikueshme që në fillim, por po them, duhet të mbarojë”, deklaroi kryeministri Rama.

Rama ka thënë se zgjedhja e konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroaltlantike.

“Zgjidhja e përbashkët është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euroaltlantike, me pikat shumë të qarta dhe të palëvizshme siç ju e shikoni dita-ditës të deeskalimit. Dhe ajo që është më e rëndësishmja për interesin tonë është se paqja është në tryezë. Dokumenti i marrëveshjes është në tryezë. Dhe mundësia historike është në tryezë, për të mbyllur një kapitull shumë të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht, jo vetëm nga ata që e njohin deri sot por nga të gjithë, edhe nga Serbia. Është kaq e madhe kjo mundësi dhe kaq i rëndësishëm ky moment në histori, sa të gjitha të tjerat janë një produkt i një devijimi të panevojshëm nga fokusi ”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se fokusi është që të bëhet paqja përfundimtare në tryezë.

“Dhe sot bashkësia euroatlantike i ka dhënë mundësinë e artë Kosovës. Dhe propozimi në tryezë i mbështetur nga BE dhe SHBA është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Mund ta them me plot gojën që ajo marrëveshje që është në tavolinë dhe kjo mundësi e artë në këtë moment nuk është e thënë që të jetë aty përgjithmonë. Situatat mund të ndryshojnë, konjukturat mund të ndryshojnë, dinamikat mund të ndryshojnë dhe pastaj mund të hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori ku nuk do kemi zgjidhje. Unë jam 100 % i fokusuar te kjo zgjidhje. Të tjerat mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që identifikojnë veten si patriot në luftëra imagjinare, por nuk sjellin asgjë përveç zhgënjimit boshllëkut dhe humbjes së kohës dhe larg qoftë edhe mundësisë“, deklaroi Rama.

Situatën për policët e ka komentuar shkurt edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

“Javën e ardhshme do ta kemi një takim bilateral me Serbinë, pra hungarez dhe serbë dhe shpresoj që deri atëherë, kjo çështje do të zgjidhet”, tha ai.

Përndryshe, delegacioni i Shqipërisë dhe ai i Hungarisë kanë nënshkruar edhe një marrëveshje dypalëshe.

Back to top button