Ramadan Nishori, zëri i parë i një të mbijetuari të dhunës seksuale: Turpi është i atyre

“Turpi nuk është i joni, është i atyre”, është thirrja e Ramadan Nishorit, të mbijetuarit të parë që flet publikisht për dhunimin seksual. Për më shumë se 26 vjet, ai mbajti të heshtur gjithë tmerrin e përjetuar. Sot, në Ditën Memoriale të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, ai rrëfeu të gjithë ngjarjen që ia ndryshoi përgjithmonë jetën para shoqërisë kosovare.
Burri rreth të pesëdhjetave nga Drenasi tha se guximi për të rrëfyer publikisht është që të mos mbetet rob i së kaluarës.
“Jam një burrë, një babë, i cili po mundohem të ndërtojë një jetë normale. E kam bashkëshorten e cila më ka mbështetur në çdo hap të jetës, dhe tre fëmijë të cilët janë drita e syve të mi dhe janë gjithçka për mua. Njerëzit dua të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, që jam mundur shumë por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin keqardhje për dhunën që e kam përjetuar. Dua të më shohin me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar. Si një njeri që shumë herë jam rrëzuar por prapë jam ngritur në këmbë. Unë jam sot këtu jo që kam harruar atë qe kam përjetuar, por jam sot këtu që të mos mbetem rob i së kaluarës”, ka thënë ai.
Fundin e shtatorit të vitit 1998, Ramadan Nishori atë kohë 22-vjeçar, thotë se nuk do e harrojë kurrë. Gjatë rrëfimit të tij publik, ai kujtoi ngjarjen e cila ia ndryshoi jetën përgjithmonë, teksa kujton se si është dërguar në stacion policor në Drenas ku edhe u dhunua seksualisht.
“Pas pak kohe filluan të na i bëjnë testin e dorezave të parafinës dhe diku afër mesnatës më erdhi rendi mua. Kam hyrë e kam bërë testin dhe u dashke me prit në korridor kanë qenë dhomat ku na merrnin në pyetje. Ka qenë edhe një shqiptar që punojke me ta, e njihnin krejt. Atë ditë e ka pasur rolin e përkthyesit. Duke pritur në korridor nga u endshin policia na sillnin dhe kanë ardhur dy policë në uniforma më kanë hapur për krahu më kanë ngrehur zhag dhe kanë futur me një banjo dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu. Se ata kurrë nuk e kisha menduar që më ndodhë mua. Dhe njëri më dhunoi dhe duke u përgatitur i dyti për dhunë, nga britmat e mia shqiptari që ka qenë aty i ka ra derës a hyrë brenda dhe më ka nxjerrë prej aty”, rrëfen ai.
Më tej, rrëfen se si policët civilë e kishin kërcënuar me fjalët “kjo çfarë të ka ndodhur ty, nuk guxon asnjëherë të tregosh”. Ramadan Nishori thotë se maltretimet çnjerëzore nuk përfunduan me kaq, meqë të nesërmen ai u dërgua në Burgun e Prishtinës e më pas edhe në Burg të Lipjanit.
I mbijetuari i dhunës seksuale është dëshmitar edhe i masakrës në Burgun e Dubravës, për çka tha se “atë kohë vdekja për mua ishte paqe”.
Ngjarja traumatike e përcolli edhe pas luftës, për çka Ramadani tregoi se çdo natë i kujtohej se çfarë kishte përjetuar.
“Veç unë e di, ishte shumë rëndë. Më 16 mars 2001 jam liruar prej burgut me ndihmën e Kryqit Kuq. Në atë kohë kam qenë i fejuar dhe pas dy javëve jam martuar. Në atë kohë jetojsha me prindër dhe vëllezër në fshat dhe pasi u martova i tash vetës “do ta lë të kaluarën pas dhe do të fillojë një jetë të re, ta krijojë një familje”. Por kjo ishte e pamundur. Sepse çdo natë mu kujtojke çka më ka ndodhë. Jetojsha me frikë se mos e heton dikush se çka më ka ndodhë. Pas një viti, u vendosëm të jetojmë me qira në Fushë Kosovë, këtu u ndjeva pak më i lirë por prapë isha i mbyllur në burgun brenda”, tregon ai.
Atë çfarë i ndodhi e mbajti të fshehur për vite me radhë, madje nuk arriti të marrë guximin as për të kërkuar ndihmë profesionale.
“Thosha unë jam burrë dhe për këtë qe e kam përjetuar nuk duhet me dit askush se thosha më nënçmojnë dhe më bullizojnë. Isha shumë i mbyllur në vete. Më vijke me qajt, me bërtit me të madhe, iksha natën prej shtëpisë, dilsha qajsha edhe u shfryjsha. Se turpi ish më i rëndë se dhimbja…Ka qenë viti 2005, për herë të parë jam ofruar te organizata QKRMT. Jam shkuar dhjetëra herë por kërqysh nuk mujsha me marrë guximin me hy brenda. Vendosa thash ma mirë me ik prej Kosovës krejt. Shkova në Mal të Zi e mora familjen edhe shkova atje, por edhe atje shumë më pengojke gjuha e tyre malazeze. Kështu qe u kthyem prapë në Kosovë. Një natë e pash me një intervistë, ishte Vasfija Krasniqi dhe për mua është heroinë e gjallë. I marrsha shumë lakmi, thosha qe ‘kjo po fol po shfryhet’ dhe kështu i kam marrë dhe i kam shkruar menjëherë”, shtoi ai.
Burri i parë që rrefeu publikisht për dhunimin seksual nga forcat serbe flet edhe për momentin kur ndau historinë me bashkëshorten e tij.
“Ishte shumë e vështirë, por një natë shkuam në dhomë për të fjetur. Unë si gjithmonë me probleme shëndetësore. Dhe bashkëshortja më tha “Dan ki diçka që po të mundon’. Dhe pa menduar shumë i kam treguar bashkëshortes. Unë kur jam arrestuar në stacionin të policisë në Drenas më ka ndodhur kjo, i tregova rend. Dhe ajo heshti. Filloi me qajt në heshtje dhe atë natë nuk biseduam asgjë. Të nesërmen në mëngjes po më thotë ‘Dan, luftë ka qenë dhe çdo njërit ka mujt me i ndodhë kjo’. Tha ‘deri sot e ke pas përkrahjen time e prej sot ki me pas edhe më shumë'”, rrëfen ai.
Të lehtë nuk e kishte që këtë ngjarje të tmerrshme ta ndante edhe me fëmijët e tij.
“Pasi i tregova bashkëshortes e kisha pak më të lehtë, nuk kisha nevojë të dalë natën me ik prej shtëpisë e me qajt e me u kthy. E kisha pak më të lehtë. Dhe një natë po i them bashkëshortes thash ‘çka ta merr mendja me i tregu vajzës’ dhe ajo pranoj tha ‘po’. Tash e kisha shumë të vështirë se si me ja thënë. Të nesërmen e thirra dhe i thash me dalë me pi kafe edhe ashtu dalim shpesh me të. Se Flutura është shtylla e shtëpisë tonë, tërë këto vite e ka mbajtur familjen në këmbë. Jemi dalë për kafe dhe jemi ulur dhe më fjalë nuk i kam thënë ja kam qit vendimin përpara e Komisionit Qeveritar që na i ka njohur statusin ku shkruan viktimë e dhunës seksuale. Vajza si e pa tha ‘babush unë këtë e di që tri-katër vjet’ u qu më kapi përqafe tha çdo herë unë do të jem në krahë tëndin. Në atë moment kam qajtur prej gëzimi, u ndjeva shumë i shliruar. U ndjeva se si mi hjek 500 kg prej vetës”, tregoi Nishori.
Ramadan Nishori nga Drenasi tha se pasi rrëfimin e tij e ndau me familjen, për herë të parë është ndjerë baba i vërtetë.
“Atëherë e ndjeva vetën për herë të parë si babë i vërtetë. Se për familjen time, për fëmijët nuk kam mundur asnjëherë të jem babë si duhet, gjithë një njeri nervoz. Një njeri që gjithë ju iksha pyetjeve të fëmijëve, gjithë ju iksha pyetjeve të fëmijëve”, u shpreh Nishori.
“Turpi nuk është i joni, është i atyre”, thotë Ramadan Nishori teksa u bën thirrje të gjithë të mbijetuarve.
“Sot diku është duke na parë një i mbijetuar tjetër. E di me çfarë sfidash ka kaluar ai dhe unë i them atij se ka shpresë dhe të mos dorëzohet kurrë. Dhe ju them atyre se turpi nuk është i joni, është i atyre”, deklaroi ai.
Vajza e tij, Flutura tha se përkrahja e familjes ka vlerë të madhe.
“Përkrahja e familjes ka vlerë shumë të madhe. Dua të ju them tjerëve që nuk kanë folur ose nuk kanë pasur dikë për të biseduar që nuk jeni vetëm. Gjithmonë është dikush që do ua mbaj krahun e ndoshta babi sot ju ka dhënë një shtytje që të kuptoni që nuk janë vetëm fjalë por është e vërtetë kjo punë”, tha vajza e Ramdanit.
Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila është gruaja e parë që ndau rrëfimin e saj të dhunimit publikisht, tha se historia e Ramadan Nishorit nga sot do të shndërrohet në guxim për gjithë viktimat.
“Që gjashtë vitet e fundit ke qenë një shok shumë i mirë mua, kemi rrëfyer bashkë. Por që nga sot ti do të jesh një vëlla i imi. Unë të përkulem para guximit tënd, të jetosh në një shoqëri siç jemi ne, për besë e meriton respektin e të gjithë neve. Që nga sot 14 prilli nuk do të mbahet mend si një ditë e vuajtjes për mua, që nga sot kjo ditë do të shndërrohet në guxim për të gjitha viktimat”, u shpreh Krasniqi-Goodman.
Edhe drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti tha se rrëfimi i Ramadanit është akt i rrallë.
“Ky moment nuk është vetëm moment rrëfimi personal është thyerje e heshtjes së gjatë, është përballje me stigmën që e ka rënduar mbi supe mbi dy dekada me radhë këtë burrë por edhe shumë burra dhe gra të tjera. Kur themi ‘Zëri im është forca ime’, ne po e njohim dhe po e vlerësojmë guximin për të folur, po ashtu po i japim zë të gjithë atyre që ende nuk kanë mundur të flasin. Ky nuk është vetëm një hap i një të mbijetuari por është një hap përpara për të gjithë shoqërinë tonë”, deklaroi ajo.
Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë.Historitë e tyre nuk dihen sepse të mbijetuarit ende i druhen stigmës e paragjykimit, dhe heshtin.
Më 14 prill të vitit 1999, Vasfije Krasniqi Goodman, atë kohë 16-vjeçare u rrëmbye nga forca policore serbe dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.