Ramusa i PDK-së prezanton programin me pesë fusha strategjike për Shtimen

Kandidati i PDK-së për kryetar të Shtimes, Përparim Ramusa, në debatin zgjedhor në RTV21 prezantoi programin qeverisës me të cilin garon në zgjedhjet e 12 tetorit.
Ai tha se programi i tij është hartuar edhe nga qytetarët, duke shtuar se zotimi i tij është që Shtimen ta bëjë një vend më të zhvilluar ekonomikisht, me shëndetësi e arsim cilësor dhe kushte më të mira për familjen.
“Në këtë program janë pesë fusha strategjike me gjithsej 7 projekte dhe aktivitete të planifikuara në vlerë totale prej 39 milionë euro: zhvillim ekonomik dhe ambient, duke përfshirë edhe infrastrukturën; arsim gjithëpërfshirës; shëndetësi dhe mirëqenie sociale; arsim, kulturë dhe sport; dhe e pesta, qeveri e hapur dhe transparente”, tha ai.
Premtoi funksionalizimin e zonës në Gllavicë, ujë të pijshëm e cilësor, rrjet kanalizimi funksional, subvencione për fermerët dhe përkrahje të bizneseve lokale.
“Arsim gjithëpërfshirës, përfshirjen e gjithë fëmijëve në procesin e edukimit, rikonstruktimin e objekteve shkollore, dixhitalizim, transport falas, kujdes për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha ai.
Ndërsa në shëndetësi premtoi programin e mjekut në shtëpi, modernizimin e QKMF-ve dhe kujdes për familjet në nevojë.
“Ndërtimin e qendrës për kujdesin e pensionistëve”, tha ai./21Media