​Ramush Haradinaj nuk do të jetë më kryetar i AAK-së, Gjini shpall kandidaturën

Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë më për kryetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj tha se AAK-ja do të hyjë në zgjedhje të brendshme dhe se nuk do të kandidojë më për kryetar.

Ai pas mbledhjes së këshillit të përgjithshëm të AAK-së, tha se disa prej arsyeve të këtij vendimi janë edhe rezultatet e dobëta në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, ku AAK-ja ishte pak mbi pragun elektoral.

“Procesi zgjedhor fillon nga 20 shkurti në nëndegët, degët dhe përmbyllet më 6 qershor, ku janë zgjedhjet e rregullta. Është situatë e mirë dhe i kemi bërë përgatitjet më të mira të mundshme për këto zgjedhje. Ajo çka është risi dhe ndryshim është se nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës. I kam treguar kolegëve të mi disa arsye. Është kohë e gjatë në udhëheqje, që nga themelimi i Aleancës, dhe rezultati i fundit i zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit. Por, sikur edhe të ishte një rezultat tjetër, prapë do të merrja një vendim të tillë… Jam betuar se do t’i shërbej Aleancës gjithë jetën time, do t’i shërbej edhe kryetarit të ri. Aleanca është vlerë e Kosovës”, theksoi Haradinaj.

Megjithatë, Haradinaj tha se nën udhëheqjen e re të AAK-së do të synohet që kjo parti të dalë e para në zgjedhje.

“Aleanca nën udhëheqjen e re dhe të kryetarit të ri do t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë. Do të jetë partia e parë, besoj shumë se e ka këtë mundësi… Ka shpallur kandidaturën kolegu, mund të ndodhë edhe ndonjë kandidaturë, por kandidatura e parë është Ardian Gjini”, tha ai.

E nënkryetari aktual i AAK-së, Ardian Gjini njoftoi se veçse e ka shpallur kandidaturën për kryetar.

“Unë e kam shprehur vullnetin për kandidaturë. Për këta tre muaj mund të ketë edhe kandidatura të tjera. Aleanca është e hapur për anëtarë dhe kandidatura e gjithçka tjetër”, deklaroi ai.

Back to top button