Raportet Kosovë – SHBA, sfidë për Qeverinë e ardhshme të Kosovës

Kosova është shumë e varur nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo raportet jo fort të mira me të sipas njohësve të fushës bëjnë që Kosova vështirë të mbijetojë në arenën ndërkombëtare.
Raportet “e lënduara” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten sfidë për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, e cila do të mund t’i jepte kahje rregullimit të këtyre raporteve, e të cilat sipas ish-ambasadores Alma Lama, janë jetike për Kosovën.
“Nuk kanë qenë në nivelin më të mirë dhe as nuk janë. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat. Kemi pasur para zgjedhjeve deklarata të z.Grenell. Një qeveri e përgjegjshme në krye që vendos interest shtetërore në krye dhe jo agjendën e brendshme politike, do të mund të ndikonte në ridimensionimin e raporteve. Për Kosovën është jetike ruajtja e marrëdhënieve më SHBA-në. Kosova është shumë e varur nga mbështetja e SHBA-së dhe vendeve të QUINT-it”, tha Lama për rtv21.
Mirëpo, sipas analistes politike, Magbule Shkodra, nëse vazhdohet me të njëjtën qasje, vështirë se raportet me SHBA-në do të përmirësohen. Shkodra thotë se ka ardhur koha që Kosova të rikthehet në tavolinën e koordinimit dhe bashkëpunimit më SHBA-në, pa të cilën vështirë mbijeton në arenën ndërkombëtare.
“Ashtu siç i sjelli Kurti kanë mbetë raportet. Duhet të kemi parasysh edhe deklaratat e mëparshme të zyrtarëve të Amerikës. Raportët janë të lënduara, kërkohet bashkëpunim dhe besim në njëra tjetrën. Nëse vazhdohet me të njejtën mënyrë, po I referohem z.Kurti, atëherë mos të presim diçka të mirë. Ne duhet të kthehemi në tavolinën e koordinimit dhe bashkëpunimit. Nëse se kemi mbështetjen e aleatëve tanë ne nuk kemi as njohje. Njohja e fundit për Kosovën nga Izraeli është bërë katër vite më parë. Kosova e ka shumë të vështirë që në arenën ndërkombëtarë t’I shtyj proceset përpara pa mbështetjen e aleatëve”, tha Shkodra.
Pas emërimit në detyrën e emisarit të ShBA-së për misione të posaçme, Richard Grenell, pati adresuar kritika të ashpra për kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, duke e cilësuar atë si partner jo të besueshëm./RTV21/21Media