Raporti i OSBE-së alarmon për gjendjen e sistemit të drejtësisë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Misioni i OSBE-së në Kosovë, të martën ka publikuar raportin e monitorimit të gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë, me ç’rast u theksua se ky raport alarmon për qasjen në drejtësi sa i përket dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.
Michael Davenport, nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, tregoi për tri gjetje të rëndësishme në këtë raport.
“Së pari, shumë pak nga këto raste kanë respektuar afatet procedurale sipas ligjit. Kjo ngre shqetësim të madh, sa i përket sigurisë së viktimave, së dyti është parë që Gjykatat shpeshherë kanë shqiptuar dënime me kusht dhe gjoba, kjo është devijim nga Gjykata Themelore, devijim i viktimave për të raportuar për dhunën, së fundi është ngritur në raport, një shqetësim për trajtim për urdhër mbrojtës, nuk ka pasur përfaqësues të punës speciale, rreth 60 për qind të rasteve që ne si OSBE kemi monitoruar”, tha ai.
Ai tha se nga viti 2019 janë rritur 30 për qind të rasteve të vrasjes ndaj gruas.
Raporti i gjetjeve i publikuar sot ka trajtuar 141 raste të monitoruara nga gjykimi i OSBE-së, nga periudha janar-dhjetor të vitit 2023.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky raport alarmon për gjendjen në Kosovë sa i përket dhunës në familje.
“Gjetjet e raportit janë një alarm për sistemin e drejtësisë, por për të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga 141 raste vetëm 34 për qind të rasteve janë dënime me gjobë”, tha Haxhiu.
Ndërsa, një problematikë tjetër sipas ministres janë edhe dënimet që Gjykatat shqiptojnë ndaj dhunuesve, ku shuma është 350 euro.